Gjykatësi britanik: Emigrantët ilegalë i hyjnë rrugës së krimit

28/07/2015 00:00

Nuk është hera e parë që gjykatësit britanikë, përmes copëzash të vërteta ndezin debatin tashmë të nxehtë për çështjet e emigracionit.

Një prononcim i tillë ishte edhe deklarata e gjykatësit Robin Onions, të cilit i referohet “The Daily Mail” e Londrës, kur ndërsa po dënonte me burg dy shqiptarë ilegalë tha se, emigrantët ilegalë që hyjnë në vend të fshehur nëpër kamionë e maune detyrohen t’i futen kriminalitetit, pasi nuk kanë mundësi të marrin ndihma sociale dhe të strehohen nga shteti.

Gjykatesi Onions dënoi me burg dy shqiptarë që paguheshin nga bota e krimit me 300 stërlina në javë për të mbikëqyrur kultivimin e kanabisit, pa ditur asnjë fjalë anglisht e që kishin vetëm disa muaj që kishin ardhur në Britani.

Ata ishin punësuar nga trafikantë të drogës të cilët kultivojnë në masë kanbisin në mënyrë artificiale nëpër shtëpi të marra me qira. Një numër i madh shqiptarësh që ende vazhdojnë të mbërrijnë ilegalisht në Britani, duke qenë se nuk kanë shanse të fitojnë azilin politik si dikur, detyrohen të jetojnë dhe punojnë në të zezë.

Aktualisht shanset e vetme për të kërkuar azil dhe jetuar legalisht në Britani janë: nëse je minoren që kërkon azil, nëse je femër e trafikuar për qëllime prostitucioni, nëse je person me problem orientimin seksual, nëse je objekt i indoktrinimit fetar esktrem për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri apo Irak dhe më pak nëse je i përfshirë në gjakmarrje.

Por edhe nëse je në këto kategori nuk do të thotë se merr azil automatikisht. Madje, rastet janë mjaft të pakta. Ndaj shumica që mbërrijnë vijnë të bindur se do të jetojnë ilegalisht duke përdorur dokumente identiteti të rreme rumune, bullgare, italiane apo të ndonjë shteti tjetër të BE-së.

Edhe pse dënimet janë të rënda kur kapesh me këto dokumente, apo kur kapesh se je i përfshirë në aktivitete kriminale, sidomos në tregtimin e drogës, sërish një numër jo i vogël shqiptarësh duket se janë të përgatitur për një jetë të tillë, ku mesa duket përfitimet ekonomike janë më të mëdha se penaliteti ligjor.

Komentet e gjykatësit britanik Robin Onions ka gjasa të shkaktojnë debate të reja në vend për çështjen e emigracionit në kushtet kur qeveria e kryeministrit Cameron duket e vendosur të kufizojë mundësitë e emigrantëve nga vendet e BE për të kërkuar ndihma sociale në vend, ndërkohë që ata që nuk regjistrohen legalisht në zyrat e shtetit, të detyruar ose jo nga rrethanat, i hyjnë rrugës së kriminalitetit, siç thotë gjykatësi britanik.

Top Channel