Raporti i DASH: Shqipëria, burim dhe tranzit i trafikut. Një deputet i dënuar për këtë krim

27/07/2015 00:00

Shqipëria është si burim, ashtu edhe destinacion trafiku për meshkuj, femra e fëmijë, subjekte të trafikut të qenieve njerëzore që shfrytëzohen për prostitucion, punë të detyruar, lypje apo forma të tjera abuzuese.

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi për të 42-in vit radhazi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore, ku Shqipëria radhitet në grupin e dytë të listës si vend me probleme sa i përket kësaj dukurie të kundraligjshme.

Raporti thotë se gratë dhe fëmijët janë viktimat kryesore të trafikut në vendet fqinje dhe në vendet e Bashkimit Europian, por edhe brenda Shqipërisë ku shfrytëzohen seksualisht, për punë të detyruar apo për lypje.

“Vajzat shqiptare bien viktima të trafikut pas martesave të sajuara, ndërkohë që femra nga vende të tjera europiane, si Ukraina e Rusia janë subjekte trafikimi në Shqipëri. Vihet re një numër në rritje e klandestinëve nga vendet në konflikt në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut që përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt vendeve të tjera europiane”, thuhet në raport.

DASH nënvizon se këta klandestinë janë pre e lehtë e trafikut dhe shfrytëzimit, megjithëse policia nuk ka identifikuar deri më tani asnjë rast të tillë.

“Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në drejtimin e policisë vështirësojnë luftën kundër trafikut. Bashkëpunimi dhe përfshirja e zyrtarëve me krimet që lidhen me trafikun vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërkohë që një deputet i Parlamentit ka qenë i dënuar më parë për akuza të tilla”, shkruhen në raport.

DASH vëren një numër në rritje të fëmijëve të komunitetit rom dhe atij egjiptian që lypin ose bëjnë punë të detyruara në Shqipëri, sidomos në sektorin e turizmit.

Raporti thotë se qeveria shqiptare nuk përmbush ende standardet minimale për të luftuar fenomenin, megjithëse vërehet progres domethënës në këtë drejtim.

“Në 2014 qeveria ashpërsoi kuadrin ligjor dhe u dënuan më shumë trafikantë se në vitin 2013, përfshirë këtu disa që detyronin fëmijët për të lypur. Qeveria rriti bashkëpunimin me organizatat joqeveritare dhe rriti financimin për qendrat e rehabilitimit për viktimat e trafikut”, vijon raporti.

DASH rekomandon katër hapa për të rritur suksesin ndaj trafikut të qenieve njerëzore:

Së pari, rritja e fondeve për organizatat joqeveritare, së dyti, ndryshime në legjislacion, sidomos në pjesën që bën fjalë për organet hetuese, së treti, mbrojtjen e viktimave që denoncojnë, jo vetëm fizike, por edhe rritjen e fondit për këtë kategori dhe e katërta flet për parandalimin e viktimave të trafikut, ku kërkohet më shumë punë dhe bashkëpunim mes institucioneve përkatëse.

“Një Task Force e ngritur në vitin 2013 për të përmirësuar luftën kundër trafikut duke koordinuar punën mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës nuk është mbledhur ende”, vlerësohet për pikën e katërt të rekomandimit.

Sipas Sekretarit të Shtetit, John Kerry ky raport nxjerr në pah rreziqet e fshehura si dhe udhëzon qeveritë për të marrë masat e duhura që të parandalojnë trafikimin.

“Tani në të gjithë globin, viktimat që kanë rënë pre e trafikut të qenieve njerëzore, po imagjinojnë mundësinë për t’u arratisur, mundësinë e një jete pa frikë dhe mundësine për të krijuar një standard të jetës së tyre”, thotë ai.

Për vitin 2014 Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur Tajlandën si shkelësin më të madh sa i përket trafikimit me qenie njerëzore.

Top Channel