Shkatërrime të mëdha në Mallakastër, digjen qindra hektare me pyje

25/07/2015 00:00

Vazhdon beteja me flakët në zonën e Mallakastrës. Zjarri i nisur prej ditës së enjte ka shkrumbuar deri me tani mbi 100 ha pyje me pisha, pemë frutore dhe ullishte. Zjarri ka prekur zona të fshtrave Gorishovë, Belishovë, Rromës dhe Drenovë.

Zjarri ka nisur diten e enjte në mbrëmje ku në vendgjarje kanë shkuar menjëherë mjetet zjarrfikëse, forca policore të Ballshit dhe Fierit, si dhe trupa të ushtrisë. Nga momenti në moment pritet edhe ndërhyrja nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor.

Kontigjenti i zjarrfikësve të Albpetrol ka qënë gjithashtu i pranishëm gjatë gjithë kohës duke u fokusuar tek objektet e naftës që siç pohon një përfaqësues i tyre për momentin nuk përbëjnë rrezik.

“Shohim që është përhapur zjarri në sipërfaqe të madhe dhe është e vështirë për tu kontrolluar me njerëzit që kemi në dispozicion. Presim përforcime nga momenti në moment. Ne jemi fokusuar kryesisht tek mbrojtja e objekteve të naftës”, thotë një përfaqësues i Albpetrol.

Banorët ankohen për humbje të të mbjellave të tyre duke sjellë në vëmendje që ishte mënyra e vetme nga e cila mblidhnin të ardhurat për të jetuar, por nuk mohojnë në asnjë çast punën e palodhur të zjarrfikësve, të policisë dhe ushtrisë për t’u ardhur në ndihmë që prej momenteve të para të nisjes së flakëve.
 
Policia ka bërë çmos mos t’i lejojë banorët e zonave të prekura të shkonin në pronat e tyre për shkak të rrezikshmërisë që paraqisnin flakët e zjarrit, kurse forcat ushtarake kanë ardhur në ndihmë për të penguar përhapjen e mëtejshëm të zjarrit duke mundësuar hapjen e kanaleve ndarës, ndërsa dy mjete zjarrfikëse kanë qëndruar në gatishmëri gjithë kohën pranë njërit prej fshatrave që rrezikohej më tepër. Dyshohet në zjarrëvënie të qëllimshme por kjo mbetet për t’u verifikuar nga ekspertë të policisë.

Top Channel