Kontrolli financiar i fushatës, kontabilistët “refuzojnë” auditimin e partive dhe kandidatëve

25/07/2015 00:00

Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve mund të shtyhet artificialisht disa ditë sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon të fitojë kohë në mënyrë që të përmbushe një nga rregullat më të përfolur të Kodit Zgjedhor; auditimin vjetor të partive politike dhe auditimin e fondeve në fushate të partive dhe kandidatëve.

Sipas ligjit, hedhja e shortit për ekspertët kontabël që do të bëjnë kontrollin e financave të partive bëhet brenda 5 ditësh nga shpallja e rezultatit të përgjithshëm, por problemi është se ekspertët kontabël nuk janë të interesuar.

Kodi Zgjedhor kërkon që në short të hidhen të paktën 40 emra ekspertësh, 20 për auditin vjetor të partive dhe 20 kontrollin e financave në fushatë.

Në deklaratën e KQZ-së shfaqej qartë ngërçi në të cilin ndodhet insitucioni për shkak të këtij detyrimi ligjor.

“Deri tani janë depozituar vetëm  19 kërkesa nga auditët për pjesëmarrje në short, për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën zgjedhore të datës 21 Qershor. Ndërkohë, shumë më pak interes ka patur për auditimin e fondeve vjetore të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike, ku janë paraqitur vetëm 7 kërkesa. Nisur nga numri i vogël i auditëve që kanë shfaqur interes për auditimin e partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ripërsërit apelin ndaj ekspertëve kontabël të licensuar pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël tëAutorizuar, që të shfaqin interes dhe të aplikojnë pranë KQZ-së për të audituar partitë politike”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.

Në Shqipëri janë të licencuar 220 ekspertë kontabël që mund të bëjnë punën për të cilën apelon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por mungesa e interesit ka dy shpjegime kryesore; puna voluminoze dhe pagesa jo sipas çmimeve të tregut.

Nëse shorti u bie për të audituar vetëm parti të vogla, ekspertët kontabël, sipas ligjit që partitë kanë bërë, mund të mos paguhen fare. Këtë vit KQZ ka detyrimin ligjor të auditojë 125 parti dhe 87 subjekte.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe më herët e ka ngritur problemin e mungesës së ekspertëve tek Kuvendi i Shqipërisë, një shqetësim që deri më tani nuk është zgjidhur, pavarësisht rekomandimeve zyrtare nga KQZ-ja.

Gjithçka bëhet për një rakordim formal të dokumentave, që edhe kur ai ndodh dhe verifikohet parregullsi, partia merr ndëshkim administrativ, që do të thotë gjobë.

Ky është i vetmi ndëshkim administrativ në Kodin Zgjedhor, sepse të gjithe kapitujt e tjerë kanë vendosur ndjekjen penale për personat që përfshihen në zgjedhje para dhe gjatë votimit. 

Top Channel