Konstituimi i këshillave, Peleshi: Mbyllet brenda korrikut

25/07/2015 00:00

Zv.kryeministri i vendit, Niko Peleshi, teksa ka qenë i pranishëm në procesin e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Ersekës, ka deklaruar se brenda muajit korrik do të jenë konstituuar të gjithë këshillat në vend.

Peleshi ka deklaruar se ka një plan konkret që po zbatohet dhe që parashikon përfundimin e këtij procesi brenda datës 30 korrik, përveç bashkive ku ka ankimime që do të kërkojnë më shumë kohë për t’u shqyrtuar.

Përballë ndryshimeve që priten si rrjedhojë e reformës territoriale, Peleshi ka nënvizuar se kuadri ligjor për funksionimin e njësive të reja është zgjidhur e konsoliduar dhe do të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin rajonal të këtyre njësive.

Sipas Peleshit, së shpejti do të marrë fund edhe ngërçi në fushën e ndërtimeve dhe do të jenë njësitë e qeverisjes vendore ato që do të kenë mundësinë të vendosin për të dhënë leje ndërtimi.

Sipas zv.kryeministrit, zhvillimi rajonal është një nga politikat kryesore të BE-së dhe qeveria është duke punuar për ndërtimin e institucioneve të përshatshme për arritjen e këtij qëllimi.

Top Channel