“Summer Fest” rikthehet për të katërtin vit me turin e tij veror, në qytete të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë.

Rrugëtimi i sivjetshëm nis me Tiranën, sonte në orën 20:30 tek Piramida, nën prezantimin e dy motrave Luana dhe Marina Vjollca.

Luana Vjollca, prezantuese: Për mua është përvoja ime e tretë, viti i tretë në SummerFest. Jam trefish më shumë e lumtur për shkak se këtë vit bashkëprezantuese nuk do të kem asnjë mashkull, dhe jo për këtë fakt, por sepse do të kem motrën time, do jem me Marinën.

Marina Vjollca, prezantuese: Për mua është viti im i parë. Do të jetë një superpërvojë nga çfarë më ka treguar Luana. Por këtë vit, ndryshe nga raporti ynë i përhershëm, këtë vit, Luana do të jetë shefja ime sepse ka më shumë përvojë.

Luana: Për mua është viti i tretë. Do shkojmë në shumë qytete, janë shtuar dy qytete më shumë, por pak rëndësi ka. Publiku ka brohoritur për mua mjaftueshëm, kështu që këtë vit e ka radhën Marina.

Cilat janë qytetet ku do të zhvillohet dhe çfarë do të përmbajë ky edicion i “Summer Fest”?

Ledia Liku, producente: Me Tiranën nis edicioni i katërt i Summerfest, për të vazhduar në 9 puntata. Këtë vit jemi zgjeruar, pasi vitet e tjera kemi qenë me 7. Do jemi në Tiranë, do jemi në Pogradec, në Shkodër, Ulqin, Strugë, Prishtinë…

Fatmir Minga, skenograf: Skenografia në pamje të parë duket e thjeshtë, por ka efektin e vet maksimal për t’iu përshtatur dhe për të bërë imazhin sa më interesant në të gjithë qytetet ku do të shkojë. Skenografia do të përshtatet për të qenë e ngrohtë, e afërt me publikun, për të bërë impaktin sa më tërheqës mes këngëtarit, spektaklit dhe spektatorit.

Ledia Liku: Rikthehet Dance Zone. Ka qenë edicionin e kaluar konkurrimi mes grupeve të kërcimit dhe rikthehet përsëri, me kërkesë të publikut këtë herë. Do të kemi shumë performanca nga këngëtarë të njohur, nga këngëtarë të The Voice of Albania.

Ergys Lubonja, regjisor: Do të ketë numra cirku, numra kërcimi, trupa profesionale e baletit e Top Channel, për t’i dhënë shikuesit shqiptar një buqetë të bukur verore.

Top Channel