Referendumi godet turizmin në Greqi, 50 mijë prenotime bien çdo ditë

02/07/2015 00:00

Vendimi i qeverisë greke për të mbajtur një referendum dhe për të mbyllur bankat, i ka dhënë goditje turizmin vendas.

Andreas Andreadis, kreu i Shoqatës së Turizmit në Greqi tha se rezervimet e hoteleve bien çdo ditë me afërsisht 50 mijë prenotime, për shkak të zhvillimeve të fundit atje.

Kjo valë ka dhënë efektet e para në punësimin e grekëve në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Ndërsa rezervimet e reja  nuk duken në horizont edhe prenotimet e bëra  që më herët nga turistët e huaj, kanë nisur të anulohen.

Në fakt disa pronarë hotelesh, në kushte anonimati, flasin se nuk kanë rezerva që të mbulojnë nevojat e klientëve për më shumë sesa një javë.

Kreu i Shoqatës së Turizmit atje sugjeron se aktivizimi i sistemit ndërbankar në gjithë Europën, për transferta parash, do të jetë e rëndësishme, pasi kjo do të lehtësojë transaksionet me vendet e tjera dhe do të lejojë importet thelbësore, çka do të thotë se objektet hotelierike në njësitë e akomodimit do të jenë në gjendje për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Gjithashtu të dhënat e publikuara  nga “Travelplanet” tregojnë se edhe rezervimet e biletave të avionëve  nga vetë grekët kanë pësuar një rënie deri në 50 përqind. Kjo arriti kulmin ditën e hënë të kësaj jave kur norma anulimit të biletave për avionë dhe tragete arriti në 22 për qind.

Duket se gjëja e fundit që u shkon në mendje grekëve këtë periudhë, janë pikërisht pushimet. Por Greqia vetë, i mirëpret turistët më shumë se kurrë edhe për faktin se është i nevojshëm qarkullimi i parave në treg.

Megjithatë, sikurse “Euronews” raporton , ishulli i Mikonos, nuk është prekur nga vala e krizës. Turistët, të cilët ndodhen momentalisht atje po përjetojnë pushime të qeta, ndërsa nuk dihet nëse kjo klimë normale do të vazhdojë në ishullin luksoz edhe pas referendumit të së dielës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta