Guvernatori Sejko: Sistemi bankar shqiptar, i paekspozuar ndaj krizës greke

01/07/2015 00:00

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se dalja e Greqisë nga eurozona, edhe pse nuk i cënon bankat shqiptare, mund të godasë rritjen ekonomike të vendit. Konkluzionin e bëri publik guvernatori pas mbledhjes së këshillit.

“Kriza greke mund të ndikojë në korrektimin e rritjes ekonomike. Po bëjmë të gjitha llogaritjet e mundshme të skenarëve pozitivë dhe negativë, por, për momentin ne jemi në përputhje të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me qeverinë shqiptare për rritjen ekonomike”, tha Gent Sejko.

Por, pavarësisht ngadalësimit të ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës ka garantuar publikun se në sistemin bankar vendas, kriza greke nuk ka asnjë efekt: “Sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar si ndaj sektorit publik grek, ashtu edhe ndaj grupeve të interesave të tjera private greke. Këshilli Mbikëqyrës thekson se edhe ndihmat e marra nga autoritetet greke, me kontrollin e lëvizjeve të kapitalit apo me ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit bankar në Greqi, nuk ndikojnë në sistemin bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat shqiptare me kapital grek”.

Sipas guvernatorit, sistemi bankar do të qëndrojë i paprekur edhe në rastet e skenarëve më ekstremë të krizës greke. Megjithatë, ai deklaroi se Banka e Shqipërisë është e gatshme për çdo situatë: “Kemi marrë masat e duhura. Kemi kufizuar çdo lloj tranferimi kapitali në drejtim të bankave mëmë”.

Këshilli Mbikëqyrës i bankës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2% dhe deklaroi se politika monetare do të mbetet e relaksuar edhe për disa tremujorë.

Top Channel