Fadil Lepaja – Pas kuvendit të fundit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa kishte vazhduar të merrej me punët e shtëpisë. Me e kositë barin. Në një foto të tij të postuar në Facebook, dukej oborri i tij i rehatuar për merak, pasi e kishte kositur barin e njomë që kishte ngritur krye në mes të drurëve të pemëve.  Kryeministri është pragmatik. Pemët japin fruta, e bari… jo!

E tash, bari është bar, sjell freski, ka aromë të këndshme por… nuk hahet. Përpos nëse nuk e kujtojmë atë thënien e famshme të shokut… po e dini, cilit?! Atij të shokut të këtyre djemve nga Ferizaji, të cilët kujdesen për veprën e tij të pavdekshme… Ai thoshte se “bar do të hamë e nuk do të dorëzohemi përpara armikut imperialist-revizionist”! Ku ai, e ku ne! Ku ajo kohë, e ku kjo!

Nejse, Isa e kositi barin e njomë, hoqi edhe ferrat e moçme, ndërkohë që tashmë në kopshtin e tij duken edhe pemët nga të cilat pret fruta. Ato sipas një gazetari tonë, janë 99. Ai pra, po më kërkonte një prononcim për media, lidhur me “kopshtin e Isës”. Me Këshillin e Përgjithshëm. Ai e kishte bërë listën se cilat pemë mbesin në kopshtin e tij.

Tash, edhe po të mos e kishte kositur barin, dikush prapë do e kritikonte. Do të bënte tinëz ndonjë foto dhe mediat do të vlonin nga titujt: “Ja si është rritur bari në oborrin e….”; ”Kur nuk e rehaton shtëpinë e vet….”; “Pse ka lejuar që të rritej bari, dhe të mbushet me gjarpërinj”.

Epo do të pajtoheni se në politikën tonë të pasluftës gjarpërinjtë gjithnjë kanë luajtur një rol të rëndësishëm!

Por mos u bezdisni për shoqërinë tonë civile dhe për mediat! Ato janë të veçanta. Mbijetojnë me asgjë! Dy tre veta, një karrige, një tavolinë dhe ja… shoqëria civile! E shajnë qeverinë. Për shembull, kundërshtarët më të fortë të qeverisë, nga shoqëria civile, kur u harxhohet buxheti “civil”,  pa më të voglin kompleks hyjnë në shërbim të qeverisë. Të njëjtës që e kishin sharë deri më dje. Asgjë personale, do të thoni. Shoqëria civile është veç një trampolinë drejt pushtetit. Për me ra në sy! Qoftë si këshilltarë, qoftë si ministra. Fundja çfarë të bëhet tjetër në këtë vend? Krejt bizneset lidhen me qeverinë. Do qeveria, ti bën biznes. Kur nuk do, nuk bën. Pra ke mundësi zgjedhjeje: do apo nuk do të bësh biznes!

Tash, puna e shoqërisë civile është të mbajë qeverinë në pushtet dhe të e heshtë opozitën. Kjo është edhe puna e mediave. Jo se nuk janë të pavarura. Janë. Por… atë punë kanë.

E keni kuptuar tashmë se këto “shoqëritë tona” civile, kanë ikur shumë përpara atyre europiane. Këto nuk mjaftohen me i gjet behane pushtetit. Nuk mjaftohen vetëm të monitorojnë proceset. Ato e paralajmërojnë edhe fituesin. Kanë favoritët. Pak ditë para Kuvendit të LDK, disa figura të reja, kritike ndaj Isës, na u futën zhurmshëm në ekran, me sloganin: Nëse nuk fitojnë këta, këtu s’ka demokraci! Nuk fituan. Jo se i mundi dikush. E mundën vetveten. Me energjinë e vet rinore. Me mllefin e vet. Krejt punën e kryen vet. Isa kësaj radhe, vërtet qëndroi me duar në xhepa.

Po ju kujtohet? Ka kohë që prej se u fol ajo fjalia e famshme, për një fitore me duar në xhepa. Asokohe Isa vërtet nuk punoi edhe aq për fitoren e vet. Jepej përshtypja  sikur i ishte mërzitur kryeqyteti, ku në fakt ai vetëm e mbante “këmborën”, bashkë me një grup reformatorësh të vet, ndërkohë që punët dhe interesat e partisë i udhëhiqte tjetërkush. Si duket mënyra e vetme për me fitue në parti, i doli të jetë me e humbë kryeqytetin.

Duket paradoksale, por modeli ashtu funksionon. Bëhesh kryetar i kryeqytetit, e mund kryetarin e partisë, e humb kryeqytetin dhe në fund fare, bëhesh kryeministër. Sikur Edi!

Kështu do të fillonte rrënimi i të njëjtit grup të interesit në parti, i cili në fakt e kontrollonte LDK-në përmes kryeqytetit qysh për të gjallë të Presidentit të parë kosovar, z.Rugova.

Rrënimi sistematik i imazhit të asaj që quhej dikur “Qarku i Prishtinës”, i cili në njëfarë mënyre qeveriste me PDK-në, qoftë në kryeqytet e qoftë në vend, qysh nga koha e ish-presidentit Sejdiu kishte marrë hov dhe nuk pati të ndalur. Fakti që kuadrot e këtij çarku ideologjik zunë shumë vende edhe në qeverinë e tij dhe në diplomaci, nuk flet më shumë se për një kompromis. Isa, kur i mban duart në xhepa si duket, është në fazën e kompromiseve të cilat e nxjerrin të fituar.

Sidoqoftë në qeveri, veproi njëjtë si në komunë. U vendos në krye, u rrethua me një staf të vet. Vuri një kontroll mbi financat dhe mediat dhe… priti.

Pasi e lëvizi gurin e krimit paksa nga vendi, duke i bërë disa kufizime buxhetore, sërish krijoi dhe i lëvizi disa “kundërshtarë”, të cilët filluan të punojnë për të. Kjo ia mundësoi të fuste sërish duart në xhepa. Në xhepa të vet, se në xhepat e popullit, ende i mbante duart ish-qeveria! Ky ishte kompromisi. Por mos të ngutemi, se gjërat ende po rrjedhin!

Me një fjalë, me miq asnjëherë nuk je i sigurt në politikë. Me armiq po. Për ata e di se gjithnjë janë kundër teje. Edhe kur janë me ty. Prandaj, Isa kompromisin e bëri me “armiq”! Ata filluan të punojnë për të.

Kështu, të dashur lexues, kryetari i atëhershëm dhe i tashëm i LDK, vërtet e kaloi edhe këtë sfidë me duar në xhepa! “Armiqtë” punuan për të! Pragmatizmi sërish doli fitues mbi idealizmin! Kompromisi mbi urrejtjen! E ne përgjithësisht jetojmë në huti! Prej se armiqtë e deridjeshëm e formuan qeverinë bashkë. Kështu, opozita ende nuk e ka marrë veten. Ende nuk po e kupton se lufta nuk po bëhet ndërmjet partive, por brenda tyre. Kjo po ndodh me partnerët e koalicionit, e kjo si duket do të ndodhë edhe me opozitën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA