Cristina Carboni dhe “Shtegu i parfumeve”

02/06/2015 00:00

Edhe lulet mund të flasin. Gjuha e tyre shprehet mjeshtërisht mes parfumeve, të cilat janë një shteg, që udhëheq drejt shpirtit, thelbësores sonë.

Përmes kësaj rruge mund të realizosh ëndrra të mëdha, të rifitosh dashurinë e humbur, të zhvishesh nga drojtja dhe, në fund, të gjesh qetësinë e munguar.

Mbase vjen shumë surreal ky përshkrim, por janë ndjesi, që vijnë shumë të vërteta përmes romanit “Shtegu i parfumeve”, një “best seller” nga shkrimtarja italiane, Cristina Carboni. Një libër, i cili tashmë ka bërë xhiron e Europës, duke marrë guximin të përcjellë për lexuesin gjuhën sekrete të luleve.

Ky roman është një përshkrim i imtësishëm ndjesish, ashtu sikurse spektri i esencave të parfumeve, që ngjyrosin botën tonë të brendshme. Një botë kaq komplekse, për të cilën nevojitet një kombinim gati magjik, për të çelur pragun e një shtegu. Dhe këtë, kodin e kësaj recete, arriti ta zbulojë Elena, protagonistja e “Shtegut të parfumeve”.

Ajo është një vajzë, e cila ka humbur besimin te të gjithë dhe gjithçka, madje edhe në dashuri. Që kur nëna e saj e braktisi në vogëli, ajo mbylli të gjitha dyert e emocioneve. Por, vetëm kur Elena arrin të krijojë parfumet e saj, ia del të largojë prej vetes të gjitha pasiguritë.

Falë esencave të luleve, të drurëve, përmes parfumeve, vajza arrin të gjejë shtegun drejt zemrave të njerëzve. Kjo është magjia e librit që sjell Carboni; një përpunim shumë fizik i materies, forca reaguese e të cilit arrin të mbërrijë deri tek esenca e shpirtit.

Top Channel