Gara elektorale e 21 Qershorit për Bashkinë e Shkodrës është ndoshta më interesantja. Përballë njëra-tjetrës janë dy zonja të qytetit verior. Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi janë përfshirë në një fushatë nga ato që ndoshta nuk i kemi asnjëherë në 25 vite demokraci.
Për të folur për këtë fushatë, e ftuar në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga në takimin e kësaj të hëne ishte kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Keti Bazhdari, Delina Fico, Shpëtim Nazarko, Belina Budini, Mustafa Nano dhe korespondenti i Top Channel në Shkodër, Ardi Hoti.
Bazhdari e nisi fjalën e saj duke folur për një sondazh të realizuar në Shkodër. Ajo tha se gëzon mbështetjen më të madhe tek gratë dhe disi më ulët tek burrat.
“Burrat ndjehet të sfiduar në shumë fusha, ndjehen të sfiduar në biznes, në politikë”, tha Bazhdari.
Belina Budini tha se ka një avantazh femëror, por shtoi se gratë përgjithësisht janë futur në politikë të katapultuara.
“Gratë përgjithësisht kanë hyrë të katapultuara në politikë dhe bëjnë politikë si burrat. Gratë që hyjnë në politik-bërje, që kanë lidership shumë të shprehur kanë një rol shumë të rëndësishëm për të ruajtur në shoqëri, sepse projektohen tek të tjera, tek ajo shumcië e cila do të projektohet tek të tjerat. Ndjejnë të papërforcuara rolin e tyre, që është shumë i rëndësishëm edhe me imazhin që ato ndërtojnë. Ndaj gratë duhet të jenë të afta, duhet të kenë kaptacitetitet, që të mos prodhojnë një dështim”, tha ajo.
Delina Fico kundërshtoi: “Është një argument i përsëritur, është argumenti i standardeve të dyfishta për gratë. Gratë dhe burrat janë të barabartë dhe na takon të jemi 50 përqind te ajo tavolinë e vendimmarrjes. Burrat dhe gratë politikanë në Shqipëri, kanë shumë për të përmirësuar, burrat dhe gratë politikanë duhet të jenë më të mirë”.
Në këtë fushatë, vihet re një orientim i mazhorancës, sidomos i kryeministri Edi Rama që kërkon votën e grave më 21 Qershor.
“Nuk e di nëse prania më e madhe e grave që kandidojnë është një gjë e kërkuar nga udhëheqësit politikë, apo ka ndodhur vërtet. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është një proçes i kontrolluar nga lideri, një proces që rubinetin e kontrollon lideri. Në Shkodër janë femra që kanë një background nga pas, nuk vijnë nga hiçi”, vlerësoi Mustafa Nano.
Shpëtim Nazarko u shpreh se dallimi i vetëm duhet të bëhet mbi bazën e programeve dhe premtimeve, e jo në burra dhe gra. Ai tha se Shkodra do të çlirohet nga të dyja palët e politikës me dy kandidaturat e paraqitura. Për Nazarkon, Shkodra nuk mund të cilësohet me si një bastion i djathtë, pasi asnjëherë nuk ka qenë dhe se me këtë përkufizim është abuzuar.
Kandidatja Bazhdari shprehu besimin tek fitorja me 21 Qershor, ndërsa tha se kërkon votën përtej spektrit politik që përfaqëson.
“Besoj se ka ardhur dita, brezat kanë ndnryshuar, mentaliteti ka ndryshuar, të rinjtë kanë pritshmëri të madhe nga pushteti lokal dhe nuk mund të jenë më peng i tekave të njerëzve. Por ka edhe një grup njerëzish fanatikë. Unë kërkoj votën e shkodranëve, njerëzit kanë bindjet e tyre politike”- tha ajo.
Lidhur me programin, kandidatja e mazhorancës shpalosi një sërë projektesh, ndërsa pyetjes së korespondentit të Top Channel nëse mes këtyre projekteve përfshihej ndërtimi i një aeroporti, rikthimi i Bunës në lumë të lundrueshëm dhe një port në Velipojë, iu përgjigj:
“Nuk kemi avancuar kaq shumë me pjesën e projekteve sa i përkt aeroportit, por sa për lumin Buna, kemi thënë që do të bëhet i lundrueshëm dhe sa i përkt molit të jahteve, dhe disa anijeve të vogla për shkëmbime tregtare, kemi thënë që do e bëjmë në zonën e Dajçit. Ajo zonë ka shumë hapësira dhe plotëson kriteret e duhura teknike për të ndërtuar një port jahtesh.
Lidhur me bashkëpunimin me qeverinë, Bazhdari tha se ai do të përqendrohet në tri nivele.
“Në të 3 këto nivele kapacitetet janë shumë të mëdha dhe shumë të pashfrytëzuara. Sa i përket turizmit, kemi nevojë për mbështejten e fuqishme të Qeverisë dhe kemi marrë mbështetjen për rrugën Shkodër-Velipojë”, tha ajo.
Pjesë e programit të saj është edhe formalizimi i ekonomisë përmes një reformave që do të kërkojnë shumë energji dhe financa për të përballuar efektet ekonomike dhe sociale.
Në pjesën e tretë biseda u përqendruar kryesisht tek gjakmarrja, një fenomen që shqetëson, kryesisht zonat e thella të bashkisë së re të Shkodrës.
Bazhdari premtoi që brenda dy viteve nuk do të ketë më asnjë fëmijë të ngujuar për shkak të këtij fenomeni.
“Ne e kemi vendosur në program dhe e kam sfidë personale, për të thënë të drejtën. Për dy vjet kam thënë, ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë të ngujuar, sigurisht në bashkëpunim me Qeverinë, por do të jetë nisma ime personale. Duhet të mos lejojmë hapësira që të funksionojë kanuni”, tha ajo.
Top Channel