Vullnetarët pastrojnë plazhin e Hamallajt, në 5 kilometra vijë bregdetare

31/05/2015 00:00

Dhjetëra të rinj, studentë, nxënës dhe qytetarë të ndryshëm, anëtarë të Korpusit të Vullnetarëve, punuan për pastrimin e plazhit të Hamallajt në Bashkinë e Sukthit, në Durrës.

Në një kohë kur frekuentimi masiv ende nuk ka filluar, brezi i rërës është i ndotur nga mbetje, që kanë sjellë në breg dallgët e detit, ndërkohë që zona e Pishave është e ndotur nga mbetjet e një viti më parë, të lëna nga pushuesit.

Një plazh me gjatësi prej rreth 7 kilometrash vijë bregdetare dhe një zgjatim fizik i plazhit të Gjirit të Lalzit. Hamallaj ka qenë i penalizuar për shkak të rrugës së dëmtuar, por vitet e fundit ai është një destinacion i mirë për shkak të qetësisë që ofron.

Urbanizimi nuk ka mbërritur ende me forcën e tij shkatërruese në këtë zonë dhe, prej dy vitesh, lokalet e shumta që mbinë në anë të rërës u shkatërruan.

Të paktën 5 kilometra vijë bregdetare u pastruan nga puna e vullnetarëve. Rreth 90% e sipërfaqes së këtij plazhi është ende publike, duke e bërë unik në të gjithë vendin ku hapësirat publike sundojnë mbi ato private, ndaj dhe pushuesit ditorë preferojnë të vijnë këtu.

Top Channel