Minxhozi: Rama mund të shmangte deklaratën kundër Athinës

29/05/2015 00:00

Për aktualitetin e ditës dhe zhvillimet më të fundit, si çdo të premte ishte i ftuar në studiot  e edicionit qendror informativ në Top Channel analisti, Skënder Minxhozi.

Ilir Paço: Aleksandër Vuçiç zhvilloi vizitën zyrtare aq shumë të përfolur në Tiranë e Beograd, e cila u shoqërua me një sfond dhe atmosferë tjetër nga ajo e Edi Ramës në Serbi vitin e shkuar. Sa reale është kjo marrëdhënie e re shqiptaro-serbe, siç edhe u angazhuan dy kryeministrat?

Skënder Minxhozi: Në fakt, do të thoja që nuk ishte vetëm vizita e Vuçiç ngjarja, ose kryengjarja diplomatike e kësaj jave, por ishte edhe një forum ekonomik që mori formën e një samiti të krerëve të qeverive të rajonit, që pati një peshë të madhe. Por sa i përket vizitës së Vuçiç, do të thoja që nuk u pa tension për fat të mirë, nuk u panë ato provokimet, ato ngecjet, ato gropa thithëse që u panë gjatë vajtjes së Ramës , në një kontekst të ngarkuar me një ndeshje futbolli që kishte përfunduar me një incident të rëndë, me deklarata nga ana e Edi Ramës në pallatin “Serbija”, që u konsideruan jashtëzakonisht të rënda nga pala serbe. Nuk u pa ajo klimë e tendosur, dhe kjo falë jo vetëm qëndrimit të të zotit të shtëpisë, por edhe të qëndrimit të kryeministri Vuçiç, që kishte ardhur në Tiranë, jo për t’i hedhur benzinë zjarrit të vitit të kaluar, por për të ndërtuar një marrëdhënie politike që mund të jetë një premisë e mirë për marrëdhënie të tjera shumë më të gjera mes dy vendeve. 

Ilir Paço: U mbajt samiti i kryeministrave të rajonit të Ballkanit, të cilët ranë dakort për t’u paraqitur me projekte të përbashkëta për financim në Bashkimin Europian. Madje pati edhe zotime, siç ishte ai i zotit Vuçiç, që tha se nëse këtë nuk e bën BE, financimi i këtyre projekteve duhet të nisë nga secili vend. Çfarë sjell kjo nismë për rajonin para anëtarësimit në BE?

Skënder Minxhozi: Samiti qenë momente që i vuri dakort të gjithë, madje edhe një personazh disi problematik të orëve të fundit, Gruevski, erdhi dhe prezenca e tij, por edhe qëndrimi i tij i moderuar, me përjashtim të tërthorta që tha për Edi Ramën, përsa i përket vetos imagjinare që Shqipëria mund të vendosë kundër Maqedonisë në NATO, do të thoja që samiti tregoi që janë vende që përtej përplasjeve dhe problemeve të reja dhe të vjetra, kur vihen përballë proceseve të mëdha, siç është integrimi, kanë projekte që ngjajnë si dy pika uji. Fakti që kryeministrat kërkuan fonde, kërkuan financime projektesh, madje kërcënuan se nëse nuk na i jep Brukseli, do t’i nisim bashkë, treguan se të gjithë e shohin bashkë të ardhmen europiane dhe se kanë qëndrime dhe qasje kur vjen puna për të trokitur në dyert e Berlinit, Parisit apo qytetet e tjera që janë donatorë potencialë, kur vjen fjala për financimin e projekteve jo të vogla në hekurudha, autostrada dhe energji.

Ilir Paço: Por në këtë klimë bashkëpunimi, raportet me Athinën kanë marrë një tjetër acarim pas deklaratave të kryeministrit Rama, se nuk negociojmë interesin kombëtar për hir të fqinjësisë së mirë. Greqia reagoi me një deklaratë të ashpër dhe siç e pranoi edhe ministri i Jashtëm, kemi një rënie të komunikimit mes Tiranës dhe Athinës…

Skënder Minxhozi: Nëse do të kërkonim një moment më delikat për të mbledhur udhëheqësit e rajonit në Tiranë, zor se do të gjenim një të tillë. Ky është Ballkani, prodhon drama, incidente dhe probleme orë e çast. Nota e stonuar e Tsiprasit dhe mospjesëmarrja greke, ishte, si të thuash, një gjë e pashmangshme sepse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë muajt e fundit, kanë qenë vërtetë të vështira. Mendoj se reagimi i Athinës zyrtare pas deklaratave të Ramës, tregon sesa e lartë është temperatura mes dy palëve.

Ilir Paço: Mendoni se kjo mund të shkojë për zgjidhje në arbitrazh?

Skënder Minxhozi: Unë mendoj që kryeministri shqiptar edhe mund ta kishte frenuar gjuhën në prani të Vuçiç. Ato deklarata në drejtim të Athinës edhe mund të ishin lënë pa bërë, sepse realisht Shqipëria nuk është se nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, edhe sa i përket kufirit detar, edhe problemeve të tjera me shtetin fqinj, por reagimi i Athinës ishte pasojë direkte e atyre deklaratave. Por edhe gjerë se kaq, edhe qëndrimi i Tiranës zyrtare për të penguar me çdo kusht projektet greke në detin Jon për kërkimin e naftës dhe të gazit dhe kjo temperaturë politike nuk thotë asgjë të mirë edhe në ditët e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA