Samiti ekonomik në Tiranë, bashkëpunimi mes vendeve mbledh kryeministrat e rajonit

28/05/2015 00:00

Gjashtë kryeministra të rajonit janë mbledhur në Tiranë, në Forumin Ekonomik të Vjenës, për të biseduar rreth projekteve me karakter strategjik, posaçërisht për infrastrukturën. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte i drejtpërdrejtë në deklarimin e tij, kur tha se, “nëse Europa nuk do t’i financojë këto projekte, atëherë vendet e rajonit duhet të mblidhen së bashku dhe t’i realizojnë ato”.

Forumi Ekonomik i Vjenës është themeluar në vitin 2004, si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi.

Ndryshe nga çfarë kanë reportuar mediet serbe një ditë më parë, se Vuçiç mund ta bojkotonte këtë forum meqenëse merrte pjesë homologu kosovar, Isa Mustafa, kjo nuk ka ndodhur, madje Vuçiç ka shtrënguar duart me të.

“Integrimi shihet si një mundësi unike për të ardhmen. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën pas, por duhet të shohim drejt së ardhmes për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Ne nuk mund të ecim të vetëm, por duhet të ecim së bashku, sepse askush nuk është i pacënueshëm. Është thelbësor bashkëpunimi për ndëlidhjet, projektet dhe vizionet, sfidat që shohim përpara. Planet politike, besoj se ndihmojnë vendet tona për të përballuar sfidat. Jemi të vendosur në qasjen tonë për të krijuar një treg të përbashkët, për të koordinuar projektet me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kemi projekte të përbashkëta për ndërlidhjen e infrastrukturës, por jo vetëm. Ka ardhur koha, që të kemi një angazhim të qartë për Ballkanin si një rajon i përbashkët, si dhe të shohim njëri-tjetrin në një qasje të re e sy të tjerë. Vetëm kështu, Europa do të na shohë neve me sy të tjerë”, tha kryeministri Rama.

“Të gjitha këto shkëmbime mendimesh janë të dobishme për rrugën tonë përfundimtare drejt BE-së me status të plotë. Kjo nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Ka gjëra, që duhet t’i bisedojmë paraprakisht. Së bashku duhet të dalim përpara institucioneve të BE-së dhe të kërkojmë ato që na duhen dhe, nëse nuk do të mund të marrim mbështetjen nga BE-ja, që shpresoj sigurisht se do ta marrim, atëherë të përpiqemi të bëjmë maksimumin vetëm. I kam propozuar Edit dhe Milos, që të firmosim bashkërisht disa projekte të përbashkëta dhe të shkojmë në Bruksel për t’u kërkuar mbështetje për këto projekte. Nëse nuk e marrim këtë, ne nga ana jonë, si Serbi, do të jemi të gatshëm të nisim punën me krahët tona, për t’i financuar vetë. Pasi është me rëndësi lidhja e vendeve tona dhe njerëzve, për të krijuar një ekonomi më të mirë”, tha kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç.

“Për ne është me rëndësi që të punojmë bashkërisht, të ndërtojmë paqen në këtë pjesë të Europës, të kemi qëndrueshmëri përmes bashkëpunimit tonë në zhvillimin ekonomik, e përmes luftës sonë për të krijuar kushte që njerëzit të kenë lehtësira në secilin prej vendeve tona. Jemi në një fazë, ku mosmarrëveshjet dhe konfliktet tona do t’i shndërrojmë në ura të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët”, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Nuk mund të ketë stabilitet të plotë të Europës, pa përdorim të plotë të potencialeve që kanë vendet tona. Për ne, ekomonia globale do të thotë një tokë, që na rrëshket nën këmbë. Ne duhet të përqëndrohemi në zhvillimin e infrastrukturës. Ky duhet të jetë prioriteti për Ballkanin Perëndimor. Asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund ta zgjidhë këtë në vetvete, duke përfshirë këtu edhe vendin më të zhvilluar, që është Kroacia, e cila ka ngecur në ndërtimin e korridorit adriatiko-jonian. Duhet të përcaktojmë hapa shumë konkretë për një integrim më të mirë të Ballkanit Perëndimor. Duhet të kemi strategji gjithëpërfshirëse”, tha Milo Gjukanoviç, kryeministër i Malit të Zi.

“Këto takime po kalojnë stereotipet, që kemi prodhuar prej vitesh, që tregonin se nuk ishim as në gjendje apo të gatshëm për të bashkëpunuar në këtë rajon. Këto takime dëshmojnë krejt të kundërtën”, tha Denis Zvizdiç, kryeministër i Bosnje-Hercegovinës.

“Të gjithë udhëheqësit e vendeve të Europës Juglindore duhet të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në deklaratat dhe në mesazhet që dërgojnë, sepse pjesa më e madhe e qytetarëve tanë i ndjekin këto mesazhe. Çdo mesazh i thënë në mënyrë jo të përshtatshme, në mënyrën jo të duhur, mund të krijojë një ndjesi negative. Greqia është ajo, që po bllokon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, tha kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski.

FOTO GALERI
2/10
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta