Meta, në “Top Story”: Në Tiranë fitojmë bindshëm. Për miellin e Vorës na informoi SHISH

28/05/2015 00:00

Teksa kemi hyrë në javën e dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, ishte i ftuar kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kreu i LSI-së, forcës së dytë më të madhe në pushtet.

Sokol Balla: Do të doja ta nisja me ngjarjet lidhur me takimin e fundit rajonal në Tiranë, e natyrisht me vizitën historike dhe të parën e një kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, të cilin e takuat gjithashtu edhe ju, madje shkaktuat edhe shumë debate, për shkak të sfondit gjatë shtrëngimit të duarve, me Isa Boletinin.

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta: Isa Boletini ka qenë aty që ditën e parë që unë kam filluar takimet dhe aty do të jetë gjithmonë.

Sokol Balla: Mos ua merr për provokim pala serbe?

Ilir Meta: Jo, absolutisht.

Sokol Balla: Si e komentoni këtë vizitë?

Ilir Meta: Mendoj se ishte një vizitë shumë e suksesshme, sepse për herë të parë një kryeministër i Serbisë vjen në vendin tonë, dhe, së dyti ka dhënë mesazhe mjaft pozitive për të gjithë rajonin, por edhe për Bashkimin Europian e partnerët tanë ndërkombëtarë. Edhe reagimi i Johannes Hahn, që vlerësonte këtë vizitë tregon qartë se Shqipëria dhe Serbia ndjejnë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe të të gjithë rajonit dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë ngushtë. Temat që njihen si delikate do të mbeten, por interesat janë shumë më të mëdha, që i takojnë së ardhmes së dy vendeve dhe popujve tanë.

Sokol Balla: Në fakt, zoti Rama ka qenë kryeministri i parë që ka shkuar në Beograd, pas shumë vitesh, por zyrtari i parë i lartë që ka shkuar atje keni qenë ju, në vitin 2002, si zëvendëkryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Kam pasur fatin të jem edhe unë në atë vizitë, së bashku me disa kolegë të tjerë. Në atë kohë, Rama ishte shumë larg politikës së jashtme dhe mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Jeni i lumtur apo jo, që ky rol i juaji në politikën e jashtme është zbehur disi?

Ilir Meta: Jam shumë i lumtur, që kemi një stad të ri të marrëdhënieve me Serbinë. Duhet të ishim shumë më të avancuar, pasi përpjekjet kanë qenë prej kohësh të tilla. Duhet të çlironim ato komplekset dhe përpjekjet për t’i orientuar marrëdhëniet sipas interesit të lajmeve bombastike të ditës që kërkon shtypi, sepse sot ka ikur koha kur konkurronte Shqipëria me Serbinë dhe Maqedoninë. Sot konkurron Ballkani me rajone të tjera në botë, sepse bota është globalizuar. Në rast se Serbia ka vështirësi apo ka ndonjë situatë problematike, apo një rast si ai i Maqedonisë, ky përbën një problem për të gjithë Ballkanin. Në mendjen e një gjermani apo europiani nuk mbetet Kumanova apo Maqedonia, por i gjithë Ballkani, duke i cenuar kështu të gjithë vendet. Ne jemi ndërgjegjësuar se, e ardhmja jonë më e mirë do të thotë një ekonomi më e mirë, që kërkon siguri, paqe dhe një imazh tjetër. Për këto duhen projekte konkrete, që përmirësojnë infrastrukturën midis vendeve tona. Ndaj jam shumë i kënaqur që, kompania, e cila filloi punimet e autostradës Tiranë-Beograd, nga 3 herë në javë tani është bërë përditë, duke treguar kështu që ka interes, ka komunikim, e rrjedhimisht do të ketë edhe marrëdhënie. Shqipëria dhe Mali i Zi, përshembull, para se të hiqeshin vizat ishim thuajse njësoj siç kemi qenë ne dikur me Serbinë, sepse komunikimi i jashtëzakonshëm i krijuar këto vitet e fundit i ka bërë marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Interesi është gjithmonë i përbashkët dhe shumë i madh.

Sokol Balla:  Roli protagonist që ka marrë mazhoranca shqiptare na bën entuziastë ne shqiptarëve, por krijon edhe tensione, si në rastin e vizitës në Beograd, ashtu edhe fërkimet e fundit me Athinën. Mos po luhet rrezikshëm me këto terma nga Rama?

Ilir Meta: Nuk duhet të ndikohemi shumë nga reagimet e ditës. Marrëdhëniet me Greqinë janë të interesit strategjik dhe në këtë drejtim ka një mospërputhje interesash. Për këto gjëra ka marrëveshje ndërkombëtare, komisione të përbashkëta, sepse ne do shohim interesin tonë, por do të njihemi edhe me atë të fqinjit tonë. Kemi rastin e detit. Ne kemi Gjykatën Kushtetuese, por ka edhe institucione ndërkombëtare që mund t’u referohemi kur kemi përplasje. Marrëdhëniet janë shumë të ngushta mes Greqisë dhe Shqipërisë, mes shqiptarëve dhe grekëve.

Sokol Balla: Me zgjedhjen e zotit Idrizi, Dule dha dorëheqjen, PBDNJ është brenda apo jashtë koalicionit?

Ilir Meta: Unë mendoj që është brenda dhe shpresoj që zoti Dule të rishikojë deklaratën e tij për dorëheqje, pasi zgjedhja e Idrizit nuk është përjashtuese për Dulen.

Sokol Balla: PDIU, FRD,PDK…. një koalicioni të konsoliduar të majtë, pse i duhet një zgjerim kaq i madh dhe humbje e boshtit ideologjik?

Ilir Meta: Boshti është orientimi si Aleancë për Shqipërinë Europiane, kështu që mendoj se një përfshirje gjithnjë e më e larmishme nuk e zbeh këtë orientim, e përforcon dhe shpresoj që gjithçka të stabilizohet.

Sokol Balla: Keni një dekadë që ndikoni në drejtimin politik që merr vendi. Në vitin 2005 përçarja e të majtës solli të djathtën, ribashkimi me PS më 2007-n solli fitoren në zgjedhjet vendore, ndërsa në vitin 2009 mbajtët të djathën në pushtet dhe më 2013-n erdhët me të majtët, nuk keni frikë se ky zgjerim…. nuk e di nga kush po kërkohet… nuk keni frikë se mos humbni atë që quhet “king maker”?

Ilir Meta: Kam qenë partizan i zgjerimit pasi na duheshin për reformat, që vështirë të realizoheshin pa kontributin e PDIU-së, zgjerimi e fuqizon mazhorancën në rrugën e saj të reformave.

Sokol Balla: Disa sondazhe e nxjerrin LSI-në me përqindje me 1 shifër, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit ka qenë më dy shifra dhe e lartë, ju keni sondazhet tuaja?

Ilir Meta: Nuk besoj asnjë nga sondazhet që kanë dalë, sidomos për LSI-në, sepse ka një tendencë për të ulur peshën e LSI-së. Por kjo nuk ka rëndësi tek votuesit, sepse ka rëndësi mesazhi që thotë një parti, dhe mqs jemi tek loja e sondazheve, do t’ju them që sondazhet janë bërë qesharake këtu, si një sondazh para 2013, që kishte edhe një emër të madh që e nxirrte LSI 2 përqind, PD shumë para PS, e ku di unë dhe disa parti të tjera shumë modeste, shumë më mirë. Unë sondazhin e bëj çdo ditë në komunikimin me njerëzit. Nuk vë bast pë 21 Qershorin, sepse edhe angazhimi ynë është modest. Ne u japim prioritet kandidatëve.

Sokol Balla: Ka pasur edhe incidente…

Ilir Meta: Ka një përpjekje për të fabrikuar incidentet, siç ishte ai në Ersekë. Ka pasur një rast në Shkodër, në Vaun e Dejës, ku janë marrë masat nga policia, ku është interesuar vetë ministri dhe kryeministri. Këto janë çështje që tregojnë vullnetin e mazhorancës për zgjedhje të mira. Është një qëndrim ndryshe nga Berisha dhe këtë e treguam edhe me KQZ-në. Nuk kemi asnjë interes për të cënuar besimin tek zgjedhjet e lira të qytarëve shqiptarë. Zgjedhjet do t’i vendosin shqiptarët dhe këtu ka një transparencë maksimale. Jemi të monitoruar gjithë ditën, nga mediat, nga celularët, nga gjithçka. Incidenti më i vogël të ndodhë, menjëherë ai bëhet publik. Kjo është shumë pozitive. Këto janë zgjedhjet më të qeta që janë bërë në vendin tonë.

Sokol Balla: Kolegji Zgjedhor ka rikthyer kandidatin e PD-së në Kurbin, vëllain e Mhill Fufit…

Ilir Meta: Kolegji është për këtë detyrë, që të shqyrtojë vendimet e KQZ-së.

Sokol Balla: Dekriminalizimi është një çështje që ka shumë mbështetje nga ndërkombëtarët, por hap edhe një debat kushtetues, sepse dënon njerëz që nuk janë të dënuar nga ligji shqiptar, ndërkohë që ndërkombëtarët po ngulmojnë…

Ilir Meta: Sa u takon ndërkombëtarëve ka standarde të ndryshme në këto raste. Edhe ata vetë janë në pozitë të vështirë, sepse ndryshe e ka një vend dhe ndryshe një tjetër. Është një çështje e ekzagjeruar, një qasje banale e opozitës. Deputetë të dënuar ka patur kudo dhe ka akoma. Dekriminalizimi është pjesë e përpjekjeve të opozitës për të dëmtuar imazhin e vendit. Jemi gati të bashkëpunojmë me opozitën për të ngritur standardet e Kuvendit, por opozita edhe këtu ka standarde të dyfishta, sepse kur një gjykatë e dënon, thotë është politike dhe prapë e kandidon dhe se ne do të quajmë të kriminalizuar, atë që themi ne.

Sokol Balla: Ju kam vënë re në një angazhim personal në Shkodër, aq sa Tom Doshi ka thënë që të mos votohet Bazhdari, por të votohet Voltana Ademi?

Ilir Meta: Angazhimi im me Shkodrën është i hershëm dhe pa modesti më duhet të them, edhe pse kam qenë kryeministër në një kohë të shkurtër, kam marrë disa vendime shumë të rëndësishme, që kanë qenë personale, për shkak të shqetësimit që kjo zonë kishte mbetur e margjinalizuar nga zhvillimet. Rruga Lezhë-Shkodër është miratuar në vitin 2000, dhe është vepra më e madhe e ndërtuar vetëm nga buxheti i shtetit, që kam bërë unë, rruga e Velipojës, që ka ardhur koha të rindërtohet, rruga e Muriqanit. Pra, angazhimi im është i hershëm dhe është një angazhim i përherhshëm.

Sokol Balla: Pra, nuk ka lidhje me Tom Doshin?

Ilir Meta: S’ka lidhje me asnjë individ. Shkodra mbetet një pasion i imi, që do të vazhdojë dhe më pëlqen shumë Shkodra. Nuk ka vend më të bukur. Ne kemi hyrë në garë për të fituar në gjithë Shqipërinë. Ne mund t’i fitojmë të githa, por mund edhe t’i humbim të gjitha. Kemi shumë dëshirë të fitojmë në Shkodër. Është garë e vështirë, por është gara më e bukur. Kandidatja është shumë e gjetur për ASHE, e re dhe njëkohësisht me shumë arritje në jetën e saj. Nuk është e lehtë në Shkodër të kesh sukses në sipërmarrje dhe të kesh me qindra punonjës që u jep vazhdimisht mundësinë për të punuar dhe paguar.

Sokol Balla: Ju thoni që keni pasion të vjetër Shkodrën. Ju kemi zbuluar edhe një pasion të ri, Vorën, aq sa thonë që ju jeni në krye të shtabit elektoral atje.

Ilir Meta: Vora është një bashki shumë interesante. Më erdhi për të qeshur kur më thatë shef i shtabit elektoral. Nuk i konsideroj këto zgjedhje kaq vendimtare, ku unë duhet të jem patjetër në krye të një shtabi. Në Vorë është Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit.

Sokol Balla: Më shuani interesin për një akuzë të bërë nga Patozi, mbi atë që e quan “pezullimi arbitrar i aktivitetit sipërmarrës” të kandidatit të PD-së, Fiqiri Ismaili?

Ilir Meta: Për herë të parë jam njohur me këtë shqetësim të Patozit, nga një deklaratë që bëri prapë Patozi, dhe kam pyetur ministrin e Bujqësisë për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Dhe më tha që ka bërë kontrolle në disa magazina dhe fabrika mielli dhe ka dalë që fabrika e Fiqiri Ismailit kishte aflatoksinë, një lëndë kancerogjene për bukën e shqiptarëve. Nga fotografitë duket që kushtet nuk kanë asnjë standard për ta mbrojtur nga lagështia miellin. I kam thënë ministrit të Bujqësisë që ta çojë edhe tek OSBE/ODIHR meqë këta e kthyen në politike.

Sokol Balla: Por përse pikërisht tani?

Ilir Meta: Pse u bë ky kontroll tani? Ky kontroll u bë tani, sepse Shërbimi Informativ, përpara pak javësh i ka dërguar ministrit të Bujqësisë një informacion, ku e njofton se qarkullon miell me aflatoksinë, i ka dhënë edhe një listë me emra subjektesh dhe ka kërkuar masa për këtë. Për këtë arsye janë bërë kontrollet dhe kanë dalë problemet te ky subjekt dhe tek këto subjekte të tjera. Këto janë fakte dhe fakt është edhe që ata e politizojnë. Është e njëjta firmë që u ka dhënë fshatarëve shqiptarë farë OMGJ.

Sokol Balla: Mund të mos ishte bërë në mënyrë spektakolare?

Ilir Meta: Nuk është bërë spektakolare, e ka bërë PD të tillë. I kam thënë ministrit që të gjitha këto informacione t’ia çojnë misionit të OSBE-së në Tiranë. S’kanë asnjë lidhje zgjedhjet me miellin e Fiqos. Opozita të mos bëhet zëdhënëse e miellit të Fiqos. Kjo është një çështje që tregon edhe besueshmërinë e akuzave të opozitës.

Sokol Balla: Debati ngjallet nga fakti që ju angazhojnë në Vorë…

Ilir Meta: S’ka lidhje kjo. Çfarë të bëj unë?! Mos të shkoj fare në Vorë?!

Sokol Balla: Pse është kaq e rëndësishme Vora për ju?

Ilir Meta: Është e rëndësishme për këta. Flasin për standard zgjedhjesh, por standardi i zgjedhjeve të tyre janë zgjedhjet e Gërdecit, ku pas vdekjeve, nxorrën fituese me pahir PD-në, për të treguar që ja Gërdeci voton Sali Berishën.

Sokol Balla: Pata Erion Veliajn këtu një javë më parë, ju quajti bashkëautor. Duket e largët 2009-a kur Erion Veliaj luftoi LSI-në?

Ilir Meta: Nuk merrem me të kaluarën. Dje ishte dje dhe sot është sot. E rëndësishme është që sot jemi në rrugën e duhur.

Sokol Balla: Rezultati i Tiranës?

Ilir Meta: Shumë i thellë. Do të jetë një rezultat mbi 80 mijë vota diferencë.

Sokol Balla:  Jeni penduar që keni mbështetur Bashën në vitin 2011?

Ilir Meta: Ka qenë kohë tjetër, por në atë kohë ka qenë një Lulzim tjetër. Janë dy sipas meje, një që kam njohur atëherë, dhe një që njoh tani.

Sokol Balla: Ju folët për 80 mijë vota diferencë, pse më duket që kaq do të jenë edhe votat e LSI?

Ilir Meta: Nuk e vras shumë mëndjen sa do të jenë votat e LSI-së. Për ne ka rëndësi që kryetari i ri të administrojë problemet e mëdha të kryeqytetit që kanë shtuar këto kohët e fundit.

Sokol Balla: E keni mbështetur menjëherë Erion Veliajn?

Ilir Meta: Ka qenë nëj zgjedhje e Partisë Socialiste. Ne kemi qenë të bindur që kandidati duhet të ishte i PS-së. Për rastin e Veliajt e kam mbështetur me shumë kënaqësi. Ka qenë një ministër shumë i suksesshëm dhe kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me të, si për arsimin profesional, punësimin etj.

Sokol Balla: Sa vendimmarrje keni pasur ju për Vlorën, Sarandën, Bulqizën?

Ilir Meta: Kemi qenë shumë fleksibël, për të ndihmuar konsensusin në terren. Ka qenë një proces mirëkuptues. Nuk kam pasur asnjëherë tensione të panevojshme dhe qëllimi është për të gjetur njerëzit më të përshtatshëm, që këtë reformë territoriale ta kurorëzojnë në mënyrë ë suksesshme.

Sokol Balla: LSI kandidon në disa bashki shumë qendrore për vendin… Për Bulqizën flitet që një kandidaturë nuk kaloi filtrin e Edi Ramës, dhe ju u tërhoqët. Në Pogradec është kandiduar një emër, që duket se ka probleme me bazën e PS-së…

Ilir Meta: Është një figurë e shkëlqyer. Nuk ka asnjë problem me bazën e PS-së. Është në përputhje të plotë me traditën e qytetit që do, dhe do të realizojë detyrën plotësisht.

Sokol Balla: Më shuani kureshtjen për rastin Kaja në Bulqizë?

Ilir Meta: Ka qenë një emër i diskutuar, por nuk u gjet konsensusi, por kjo nuk i ul vlerën zotit Kaja.

Sokol Balla: Do të keni dilema të forta në familje, 3 fëmijët tuaj kanë lindur nga Halim Kosova…

Ilir Meta: Doktor Halimin e kemi mik, e duam shumë. Jemi familjarë, por në këtë rast miqësia është tjetër gjë, e politika tjetër gjë. Ndaj vota jonë është në drejtimin e duhur dhe shkon për zotin Veliaj. Kosova nuk mërzitet në këtë gjë.

Sokol Balla: Do të fitonte Veliaj nëse nuk do mbështetej nga LSI?

Ilir Meta: Do të fitojë, sepse Tirana do të fitojë kohën e humbur dhe ai po nxiton, dhe është më i shpejti në drejtimin e duhur.

Sokol Balla: Në vitin 2011 u dyfishuat si parti, sivjet skema e re është një kandidat për gjithë koalicionin, duket sikur po garoni me hapin e dy partive të mëdha…

Ilir Meta: Mbajmë aq përgjegjësi sa mund të mbajmë dhe kemi një mirëkuptim të jashtëzakonshëm me strukturat e PS-së.

Sokol Balla: Duket se ambicia dhe agresiviteti elektoral i LSI-së është stimuluar edhe nga sulmet e PD-së. Në këtë fushatë, PD ju ka ju target kryesor të sulmeve individuale politike…

Ilir Meta: Kjo është normale. Partinë Socialiste nuk e arrijnë dot dhe nuk luftojnë për vendin e parë dhe duan të mbajnë vendin e dytë dhe hajde t’i biem LSI-së. Shumë njerëz të zhgënjyer nga PD kanë ardhur te LSI dhe kjo është e drejta e tyre. Nuk me shqetësojnë sulmet e PD-së, sepse jam i bindur që kjo nuk na ul rezultatin.

Sokol Balla: Një tjetër risi e fushatës është që ndryshe nga 2013-a, jeni shpesh bashkë në qytete apo qendra të ndryshme me Ramën. Është një hap drejt rikthimit të bashkimit të dy pjesëve të një partie që u ndanë, apo drejt një federate, siç kam dëgjuar Manjanin disa ditë më parë?

Ilir Meta: Më pëlqen më shumë thënia e zotit Rama: dy parti, një fuqi. Në këtë rast është më shumë se kaq, sepse PS-LSI është një bosht i fuqishëm i një aleance shumë më të fuqishme se kaq. E majta e bashkuar është një shumicë e fuqishme në Shqipëri. E majta e bashkuar është gjithmonë shumicë në Shqipëri. Në vitin 2005 ndodhi ajo që ndodhi, në 2009-n nuk u bë koalicioni dhe për këtë e ka fajin zoti Rama, ndaj u bë një koalicion i sforcuar me PD-në.

Sokol Balla: Ka një target mazhoranca për 21 Qershorin?

Ilir Meta: Nuk ka asnjë target sesa duhet fituar. Fitorja në Tiranë do të jetë bindëse. Për ne nuk ka shumë rëndësi sa do të fitojmë, për ne është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbyllen sa më shpejt dhe të përqendrojmë energjitë tek zhvillimi.

Sokol Balla: Harta e re do të sjellë sulltanë të rinj apo një menaxhim të mirë të territorit?

Ilir Meta: Askush nuk do të tolerojë sulltanë të rinj. Në atë mënyrë që ishin, ishin jashtë kontrollit. Tani janë shumë më të ekspozuar para qytetarëve, para këshillit dhe do të ketë shumë përgjegjësi të drejtpërdrejta. Janë nën një presion më të madh, pozitiv.

Sokol Bala: Përtej këtyre zgjedhjeve, mendoni që qeverisja e së majtës duhet të korrigjojë me shpejtësi diçka?

Ilir Meta: Besoj që qeverisja duhet të përmirësohet vazhdimisht, dhe natyrisht që këto zgjedhje, edhe pse nuk janë politike, janë një test i mirë për të rivendosur kontaktin, jo shumë të qëndrueshëm me elektoratin këto 18 muaj. Por e rëndësishme është që kjo fushatë dhe rezultati do të jetë një mesazh pozitiv sesi duhet të përmirësohet qeverisja, se ka nevojë për përmirësim, kjo është e sigurtë.

Sokol Balla: Ekonomia mbetet pika delikate, e dobët…

Ilir Meta: Mos harrojmë që ekonomia është problem për gjithë Europën. Greqia ka probleme të mëdha, Italia po ashtu. Këta janë partnerët tanë kryesorë. Nuk duhet të harrojmë që ne të ardhurat nga emigracioni i kemi sa gjysma e Kosovës dhe Maqedonisë. Remitancat e tyre janë më të larta, sepse kanë emigrancionin në vende që nuk janë prekur nga kriza. Ekonomia është shqetësimi i të gjithë shqiptarëve.

Sokol Balla: Po marr taksimin e ndershëm, që i jep një frymëmarrje shoqërisë, ama motori i ekonomisë është shtresa e mesme, që përbën mushkëritë e një ekonomie. Duket se shtresa e mesme është goditur nga kjo taksë…

Ilir Meta: Qeveria e re, kur erdhi në pushtet, nuk kishte fonde as për pagat dhe pensionet, sepse qeveria e mëparshme zbrasi komplet arkën. Ishte e detyruar për të bërë një marrëveshje me FMN-në dhe marrëveshja ka edhe kushtet e saj, përveç përfitimeve që vijnë më pas. Historia e ilaçeve të hidhura që përmend Rama, qëndron. Tani jemi në një moment, pas 21 Qershorit, duhet të ulemi për të parë efektet e këtyre masave dhe si do të vazhdojmë më tej.

Sokol Balla: Por më duket se po shpenzojmë për luksin, ndërkohë që gjërat nuk janë mirë diku tjetër…

Ilir Meta: Nuk është ky problemi. Është më i thellë, strukturor. Ajo që qëndron është që investimet duhet të jenë më shumë prodhuese. Do të investohet edhe për kulturën, edhe për sportin. Mendoj që pas 21 Qershorit do të ketë një impuls të ri në këtë drejtim.

Sokol Balla: Një deputet i mazhorancës po më tregonte për një biznes të caktuar për lëndën drusore prej 3 milionë euro, ku i është dashur të bredhin dhe sorollaten pafund për të marrë licencat. Ky është një problem që ekziston…

Ilir Meta: Diçka që mund të shkurtohet, duhet të shkurtohet. Unë jam armik i burokracisë, e urrej. Urrej të gjithë ata njerëz që kanë mundësi ta zgjidhin një gjë tani dhe për t’i dhënë rëndësi vetes i vonojnë.

Sokol Balla: Për zonat e lira ekonomike, duket që gjërat po ecin jo me shpejtësinë e duhur, ndërkohë që janë dhënë mbi 1.2 miliardë euro nga Banka Botërore në 5 vjet. Tani këtu ka një problem, ose qeveria nuk di ta shesë se çfarë ka arritur ose nuk ka projekte të qarta.

Ilir Meta: Është kohë zgjedhjesh dhe nuk merret njeri me këto lajme. Do kohën e vet çdo gjë.

Sokol Balla: Mendoni që ka nevojë për një dinamikë të re në qeveri?

Ilir Meta: Nëse këtu bëhet fjalë për sektorë, ka nevojë për dinamikë të re në shumë sektorë.

Sokol Balla: Në këtë rrugëtim me Ramën, asnjëherë nuk e keni sqaruar se çfarë ndodh pas 2017-s?

Ilir Meta: Është ende shumë herët. E rëndësishme është ekonomia. E rëndësishme është të rritet ekonomia.

Sokol Balla: Dhe nëse ajo nuk rritet?

Ilir Meta: Unë besoj që do të rritet.

 

*Top Story rikthehet të enjten tjetër me kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA