Vizitat reciproke të kryeministrit shqiptar dhe atij serb interpretohen nga “Dojce Vele” (Deutche Welle) si çelje e një kapitulli të ri për Ballkanin.
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç e kanë thyer tashmë akullin e marrëdhënieve të ngrira mes dy vendeve, – thotë Vilma Filaj Ballvora, – edhe pse për shkak të Kosovës, përafrimi i qëndrimeve vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë.
Të dy liderët e kanë të qartë, thotë analistja, se prekja e kësaj çështjeje është e pashmangshme.
Megjithatë diskutimi, në këndvështrimin e saj, duhet zhvilluar me kthjelltësi dhe pa empati apo paragjykime populiste. Deklarata e Edi Ramës para gjashtë muajsh në Beograd, se Serbia duhet ta pranojë realitetin e ri të Kosovës, shkaktoi një valë reagimesh e zemëratë në Serbi, duke u cilësuar si provokim. Po kështu, edhe deklarata e Vuçiç në Tiranë, se Kosova është Serbi, ndoshta në opinionin shqiptar mund të perceptohet si provokim.
Por kjo nuk e zbeh aspak peshën e faktit, që shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë tashmë në hullinë e normalitetit. Sa për termin Shqipëri e Madhe, një tjetër element ngërçi ky në marrëdhëniet dypalëshe, Ballvora e përshkruan si utopi, ndoshta të modës vetëm në qarqe të caktuara radikale dhe pa influencë.
“Mëse qartë e theksoi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën e përbashkët të shtypit me Vuçiç në Tiranë, se Shqipëria e Madhe nuk është as vizion, as projekt dhe as nuk ka plan për këtë”, shprehet ajo.
Ballvora kujton se mes dy vendeve dhe dy popujve ka mjaft të përbashkëta, e sot në shekullin e 21-të edhe shumë më tepër hapësira për intensifikimin e shkëmbimeve. Do të ishte e udhës që sa më parë të marrin jetë idetë për nxitjen e shkëmbimeve kulturore e ekonomike si dhe intensifikimin e kontakteve mes të rinjve nga të dy vendet. Me dialog zgjidhjet janë të mundshme, – vazhdon analistja, – e për herë të parë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duket se Tirana dhe Beogradi tashmë kanë vendosur të zgjedhin këtë opsion.
Top Channel