Investigimi i “Fiks Fare”, 50 mijë lekë për të përfituar kujdestarinë e të afërmit që del në KEMP

28/05/2015 00:00

50 mijë lekë për të përfituar kujdestarinë e të afërmit që del në KEMP. Kjo është shuma që kërkojnë mjekët e komisionit mjekësor për shëndetin mendor në Vlorë për t’u dhënë mundësinë të afërmve të pacientëve që të përfitojnë pagesën nga shteti.

Të mërkurën, “Fiks Fare” solli fakte se si funksiononte skema e marrjes së parave nën dorë nga mjekët e komisionit mjekësor të spitalit psikiatrik të Vlorës, të cilët pasi morën pagesën prej 50 mijë lekë firmosën fletëdrejtimin për në KMCAP.

“Fiks Fare” solli historinë e një banori nga fshati Gusmar i Gjirokastrës që endet rrugëve të spitaleve për të kërkuar kujdestarinë e vëllait të tij me prapambetje mendore.

Në redaksinë e emisionit u ankua vëllai i të sëmurit, i cili kërkonte të merrte kujdestarinë e tij, pasi është diagnostikuar me prapamendje mendore, epilepsi me kriza të shpeshta. Disa vite më parë, sipas tij, i ishte bërë një padrejtësi dhe ua kishin hequr këtë kujdestari.

Por nuk do të mjaftonte kjo, pasi për ta rifituar sërish atë, duhet të paguante shumën e 50 mijë lekëve “në formë kafeje” në komisionin e KEMP-it. Për zonat jugore ky komision mblidhet në Vlorë, përbëhet nga pesë mjekë dhe një nga anëtarët e këtij komisioni, doktoreshë Diana Muçobega i kërkon 50 mijë lekë të reja për t’i rikthyer sërish kujdestarinë.

Pas kësaj historie, gazetarët e “Fiks Fare” fillojnë investigimin e tyre duke e shoqëruar pacientin dhe vëllain e tij në Vlorë. Takimi i parë kryhet me një infermiere të këtij komisioni, e cila e vë vëllain e pacientit në dijeni se doktoresha kryesore në këtë komision është Diana. Gjithashtu, infermierja e pyet nëse familjari i pacientit i ka marrë parasysh të gjitha dhe nëse e di sa ka për të paguar. Familjari i tregon se i kanë kërkuar 500 mijë lekë të vjetra.

Nga shuma që infermierja dëgjon ofrohet që të ndërhyjë tek doktoresha për ndonjë ulje të mundshme, por pas takimit me mjekët i sqaron familjarit se përveç doktoreshë Dianës janë edhe tre mjekë të tjerë. “Aq donin ata, aq sa the ti. I hëngërt mortja”, thotë infermierja. 

Më pas, vëllai i pacientit bashkë me të sëmurin hyjnë në komision, ku pasi u shohin gjithë dokumentacionin e paraqitur, doktoresha i kërkon një vendim të ditëve të fundit dhe një epikrizë të re.

Në koridor ai sërish pyet njërën nga mjeket, anëtare e komisionit që do të firmoste për kudjestarinë e të vëllait, nëse javës tjetër duhet të shkojë i përgatitur, pra me lekët me vete.

“Të vij i përgatitur?”, pyet familjari i pacientit, ndërsa doktoresha i përgjigjet: “Të hënën, të tëra”. Por “Fiks Fare” nuk e la me kaq. Bashkë më të afërmin e pacientit rikthehen në komisionin e ngritur në spitalin psiakiatrik të Vlorës ditën e dytë. Tregojnë dokumentet e reja qe vetë doktoresha kishte kërkuar më parë dhe bashkë më të hyn edhe i sëmuri.

Pas disa pyetjeve të drejtuara drejt të sëmurit, doktoresha shton se në të vërtetë kujdestaria nuk i takon, sepse që ta fitojë i sëmuri kujdestarinë duhet që të mos jetë i aftë t’i shërbejë vetes. Për ta sorrollatur edhe më shumë qytetarin dhe të sëmurin, doktoresha u rekomandon të shkojnë të vizitohet te një mjeke psikiatre.

Por, kjo e fundit i mëson se si duhet të sillen me kolegen e saj psikiatre, duke u thënë se nuk duhet të flasin fare atje, pasi do të kryejnë vetëm një kontroll rutinë, sepse më pas të dyja do konsultoheshin për të dalë me një vendim. Pasi të bënte kontrollin tek kjo qendra tjetër, duhej sërish të riktheheshin në komision.

E gjithë kjo situatë ndodh në prani edhe të një infermieri, i cili i shoqëron pacientin dhe familjarin nga spitali në qendrën komunitare të shëndetit mendor të Vlorës. Pacienti e kryen edhe këtë vizitë dhe mjekja psikiatre i thotë se mendimin e saj mbi diagnozën e të sëmurit do t’ia japë vetë doktoreshë Diana Muçobegës.

Top Channel