Vizita e Vuçiç në Tiranë, agjenda dyditore e kryeministrit të Serbisë

26/05/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili pritet të mbërrijë të mërkurën për vizitë zyrtare në Shqipëri, do të qëndrojë dy ditë në Tiranë.

Në një agjendë të siguruar nga Top Channel bëhet e ditur se kryeministri serb do të mbërrijë nesër paradite në Tiranë, ndërsa në orën 11.30 do të pritet me ceremoni mirëseardhjeje në Pallatin e Brigadave.
 
Ceremonia e mirëseardhjes do të pasohet me një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave Rama dhe Vuçiç, për të vijuar pas orës 12.00 me takimin mes delegacioneve.
 
Rreth orës 13.00 është parashikuar një konferencë për shtyp e dy kryeministrave.
 
Vuçiç do të pritet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe rreth orës 16.00 do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, e më pas me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
 
Në agjendë është paraparë edhe një darkë zyrtare mes dy delegacioneve.
 
Të enjten, kryeministri Vuçiç do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës.
 
Jozyrtarisht, bëhet e ditur se kryeministri serb do të shoqërohet në këtë vizitë nga disa anëtarë të kabinetit të tij që kanë lidhje me ekonominë dhe disa gazetarë të mediave publike.

Top Channel