Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka theksuar se vizita e kryeministrit serb, Vuçiç, në Shqipëri, ka një domethënie të veçantë.
Duke folur gjatë një interviste për gazetën serbe “Danas”, Rama tha se kjo vizitë “është një indikator i vendosmërisë tonë për të ecur përpara në rrugën që nisëm në Berlin, gushtin e kaluar, nën lidershipin vizionar për Ballkanin të Kancelares gjermane Angela Merkel”.
Z. Rama shpreson tek “thellimi i bashkëpunimit me Serbinë, dhe së bashku të ecim në rrugën e paqes e të integrimit europian”.
“Shqipëria dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë për Ballkanin sot atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë. Eshtë një indikator i vendosmërisë tonë për të ecur përpara në rrugën që nisëm në Berlin, gushtin e kaluar, nën lidershipin vizionar për ballkanin të Kancelares Merkel”, është shprehur Rama.
Sipas tij, “suksesi i bashkëpunimit përcakton jo vetëm fatin e shqiptarëve, por dhe të serbëve, në projektin për një Europë të Bashkuar”. “Europa e Bashkuar është projekti më i madh i njerëzimit për paqe, që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë”, ka shtuar kryeministri Rama.
Vizita e Vuçiç në Tiranë, e konfirmuar për nesër (e mërkurë 27 maj) është vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri.
Top Channel