Nishani: Të forcojmë bashkëpunimin rajonal, jo më konflikte ndëretnike

26/05/2015 00:00

Me një deklaratë për vijimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe promovimit të fqinjësisë së mirë është mbyllur samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive në Tiranë, SEECP.

Bullgaria, Moldavia dhe Kosova u përfaqësuan nga krerët e shteteve, Rumania me kryeministrin, ndërsa fqinjët tanë Greqia e Maqedonia u përfaqësuan vetëm me zëvendësministrat e Jashtëm, duke u kthyer edhe në tregues të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me të dyja shtetet.

Marrëdhëniet e vështira mes fqinjëve në rajon, paqja e brishtë dhe ekuilibrat e dobët që dolën edhe njëherë në pah me ngjarjen tragjike të Kumanovës, fokusuan mesazhet e krerëve të shteteve në këtë fakt, ndërsa presidenti shqiptar shkoi edhe më tej kur edhe nga kjo tryezë bëri të njëjtën kërkesë të aktorëve të tjerë të shtetit shqiptar.

“Kriza që ka përshfirë Maqedoninë nuk duhet përshkallëzuar më tej. Pritshmëria jonë legjitime është të ketë një hetim të plotë, të shpejtë e të besueshëm për këtë ngjarje plot dritëhije që ka tronditur jo vetëm shqiptarët e pafajshëm të Kumanovës, por të gjithë ne dhe partnerët ndërkombëtarë. Të mos kthehet kjo ngjarje në një konflikt të paqënë ndëretnik”, deklaroi Nishani.

E vënë nën akuzën e Rusisë se, së bashku me Shqipërinë po kërkojnë ndarjen e Maqedonisë, presidenti Bullgar kërkoi të bëjë sqarimin kundër cënimit territorial dhe ndryshimit të kufijve në Ballkan edhe në Tiranë. Madje, Bullgaria, që merr edhe presidencën e radhës të procesit të bashkëpunimit të Europës juglindore, do të vendosë në qendër të kryesimit të saj stabilitetin rajonal.

“Bullgaria do të punojë për një deklaratë për të rikonfirmuar parimin e moscënimit të kufijve kombëtarë. Ne nuk duam që të këtë luftëra në Ballkan, por duam paqe dhe stabilitet. Ne nuk duam që kufijtë të lëvizin më, por duam që këta kufij të mos jenë më të dukshëm. Ne duam që zgjedhja sovrane e popullit të Ballkanit të respektohet. Ne duam që nejrëzit t’i bëjmë bashkëpunëtorë dhe jo luftëtarë”, deklaroi Rosen Plevneliev.

Mesazhin për një Ballkan larg konflikteve e dha edhe kryeministri rumun, Viktor Ponta. “Jemi të përkushtuar për të bashkëpunuar. Kemi interes për zhvillimin e rajonit, jo për konflikte dhe mosmarrëveshje. Paqja dhe qëndrueshmëria janë thelbësore”, tha ai.

Presidenti bullgar dhe kryeministri rumun, të dy përfaqësues të vendeve anëtare të BE, i kërkuan vendeve të Ballkanit në përpjekje e sipër për t’u integruar, që të rrijnë larg konflikteve etnike, sikundër edhe nacionalizmave.

“Të ndërlidhemi mes njëri-tjetrit, me tregje të përbashkëta, linja transporti tokësore dhe hekurudhore. Vetëm kështu mund të ecim, të përballim fatkeqësitë natyrore, apo terrorizmin”, thanë dy përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, që përçuan nga Tirana mesazhin se, dera e BE-së është e hapur, mjafton vullneti dhe përkushtimi për t’iu afruar.

Top Channel