“Kumanova”, Bushati-Zannier: Shfaqje e krizës së demokracisë në vend, jo konflikt ndëretnik

26/05/2015 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të samitit të presidentëve, SEECP.

Bushati dhe Zannier i cilësuan ngjarjet e Kumanovës si shfaqje e krizës së demokracisë në vend “dhe jo konflikt ndëretnik, siç ka pasur përpjekje për ta etiketuar atë”.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar është thelbësor për zgjidhjen e çështjeve që e mbajnë peng Maqedoninë drejt integrimit të plotë euro-atlantik”, janë shprehur të dy bashkëbiseduesit.

Kryesia serbe e radhës e OSBE-së dhe roli i saj në rajon ishte një tjetër çështje bisedimi mes ministrit Bushati dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, parë edhe nën dritën e përpjekjeve integruese të vendeve të rajonit dhe bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Top Channel