Është zhvilluar këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë një ceremoni me rastin e 90-vjetorit të krijimit të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar krijimin e këtij institucioni të rëndësishëm 9 dekada më parë, si dhe reformimin e tij ndër vite.
“Sot vë re me kënaqësi se me kalimin e viteve të tranzicionit dhe me fillimin e procesit të integrimit, KLSH dhe institucionet kushtetuese kanë rritur shkallën e përgjegjshmërisë për të përmbushur jo vetëm objektivat afatshkurtër e afatmesëm institucionalë, por edhe për të rritur bashkëveprimin me institucionet ligjzbatuese”, ka thënë Meta.
Në të njëjtat linja, kryetari i këtij institucioni, Bujar Leskaj ka theksuar vendosmërinë e tij për të ruajtur pavarësinë institucionale të KLSH-së.
“Të thellojmë transparencën dhe llogaridhënien, të luftojmë në thellësi dhe në sistem korrupsionin, si dhe të bashkëpunojmë me efiçencë me institucionet simotra evropiane”, ka thënë mes të tjerash Leskaj.
Top Channel