Pa taka nuk futesh dot në Kanë

19/05/2015 00:00

Organizatorët e mohojnë, por “Screen Daily” pretendon të kundërtën dhe këmbëngul në pohimet e saj, se disa femra janë dëbuar nga shfaqja e një filmi, pasi mbanin veshur këpucë të sheshta e jo me taka, siç thuhet të jetë një nga detyrimet e veshjes në Festivalin e famshëm të Kanës.

Gratë, disa prej të cilave besohet të kenë qenë në moshë të madhe e me probleme shëndetësore, donin të ndiqnin “premierën” e krijimit më të ri, ku interpreton Cate Blanchett, Carol.

Faqja online e “Screen International” këmbëngul se, drejtuesit e eventit e kanë konfirmuar që takat janë të detyrueshme për të gjitha femrat pjesëmarrëse.

Drejtori i Festivalit, Thierry Fremaux, i hedh poshtë të tilla pretendime si “të pavërteta e të pabazuara”. Për shkallët, rregullorja është e njëjta dhe e pandryshuar: jo duhan, veshje zyrtare. Takat nuk përmenden gjëkundi, – shkruan Fremaux në profilin e tij, në rrjetin social Twitter.

Megjithatë, “Screen Daily” citon një pjesëmarrës të përhershëm të eventit, të cilit nuk ia përmend emrin, të tregojë sesi ka qenë dëshmitar i momentit, kur një gruaje tek të 50-at, që mbante veshur këpucë të sheshta mjaft të këndshme, i është ndaluar hyrja dhe i është thënë të shkojë të blejë ndonjë palë sandale për së mbari, pastaj të kthehej sërish.

Asif Kapadia, dokumentari i të cilit – mbi jetën e këngëtares Amy Winehouse – u shfaq në Kanë këtë fundjavë, ka shkruar gjithashtu në Twitter se, edhe bashkëshortes së tij i kanë hapur probleme, kur është shfaqur me këpucë të sheshta, por në fund e kanë lejuar të hyjë.

Top Channel