Aleksandër Çipa – “Gjithnjë e kisha imagjinuar parajsën në formën e një biblioteke”, rrëfen diku Jorge Luis Borges, i cili diku në mesin e viteve ’50 ishte emëruar drejtor i Bibliotekës Kombëtare të vendit të tij.
Ky pohim më erdhi në ndihmë ndërsa po ndiqja këto ditë Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2015. Është një veprimtari, së cilës nuk i njihet realisht vlera dhe impakti që sjell e mbart periodiciteti i tij në raport me kulturën botërore, me marketingun kulturor në përgjithësi dhe sidomos me turizmin kulturor.
Mendoj se administrata kulturore shqiptare, e cila është organizatore dhe përballuese e zhvillimit të kësaj veprimtarie kombëtare me jehonën më të madhe se gjithë veprimtaritë e tjera që organizohen në territorin e Shqipërisë shtetërore, nuk besoj se ka ndonjë studim apo përllogaritje të impaktit që shkakton kjo veprimtari. Ajo, në një lloj kuptimi, është “e papeshueshme” për nga jehona dhe gjurmët që lë në median globale dhe sidomos në grupet e interesit kulturor dhe kulturologjik global.
Por gjatë këtyre ditëve, me mijëra qytetarë nga vise të ndryshme të vendit dhe botës gati në një përkim konstatojnë se brendia dhe ngjyrat e këtij festivali, prurjet dhe materiali etnokulturor që ekspozohet përbëjnë diçka unike. Janë realisht imazhi real i një parajse, për të cilën, pasi e ndjek festivalin, e ke fituar imagjinatën. Po t’i mbetesh besnik Borgesit, për të përcaktuar atë çka fiton dhe gjen në këtë festival, të vjen në ndihmë pohimi i tij: “Kam humbur botën e dukshme, por tani do të gjej një tjetër, botën e paraardhësve…”. Sepse Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës ka shumë vlera dhe brendi, materie e pasuri etnokulturore e etnografike që të lidhin me botën e paraardhësve shqiptarë.
Të dyja këto arsye të mëdha të pohuara në perifrazim me Borgesin, janë një arsye e përhershme për të mbetur dhe ripohuar sugjerimet për Ministrinë e Kulturës dhe Trashëgimisë se FFK i Gjirokastrës duhet rivlerësuar ndryshe.
Së pari, kjo veprimtari nuk duhet cenuar në periodicitetin e vet siç ka ngjarë vitet e fundit. Madje do të ishte respekt për trashëgiminë që në veprimtarinë përmbyllëse të këtij festivali ministrja Kumbaro të përcaktonte kohën e zhvillimit të edicionit të radhës.
Së dyti, ka një pikë ku ndërveprimi dhe bashkëpunimi i administratës dhe institucioneve që merren me turizmin dhe sidomos atë kulturor shqiptar, të rikonceptohet dhe vlerësohet, pasi vlen më shumë se shumë pjesëmarrje apo përfaqësime në panaire apo sfilime turistike. Ky është pavijoni më i madh, më shkëlqyes dhe më me impakt për turizmin kulturor në vend. Si Gjirokastra dhe sidomos qyteti i ditëve të festivalit, nuk ka tjetër në hapësirën tonë dhe sidomos në tjetër vis të botës.
Së treti, FFK i Gjirokastrës nuk ka arsye pse të mos krijojë mundësinë e vlerësimit dhe përfshirjes në veprimtari të asaj elite specialistësh të trashëgimisë dhe mendimit etnokulturor, pasi ata nuk zëvendësohen dot dhe më së shumti, nuk tejkalohen. Nëse në ditët e festivalit do të ishte përfshirë një studio me panel etnomuzikologësh, folkloristësh, poetësh dhe albanologësh, atëherë do të bëhej e mundur që në kohë të realizohej edhe një analizë dhe gjykim i specializuar për reminishencat apo të pavlerat që mund të sillen në konkurrimin e trupave nga gjithë viset. Madje është koha që laboratorët me traditë të shqyrtimit dhe analizës së prurjeve etnokulturore që prej akademive të shkencave, QSA-së, instituteve kombëtare të kulturës etj., etj., të identifikojnë versionet dhe prurjet e reja, duke shmangur përsëritjet për edicionet e ardhme dhe duke mirëevidentuar risitë e zbulimet si në melos, në etnografi, në koreografi, interpretim etj.
Në FFK të Gjirokastrës, sikundër në shumë veprimtari të tjera ku nevojitet raporti koordinues dhe bashkëveprues mes pushtetit qendror me atë vendor, si dhe mes institucioneve kombëtare dhe atyre lokale, lehtësisht konstaton atë që nuk shkon. Në Gjirokastër, gjatë ditëve të këtij festivali, mungonte plotësisht stafi-guidë. Një aspekt i pafalshëm dhe jo i hijshëm. Artistët e ardhur, sipas ditës së programit të parapërgatitur, përjetonin një zhgënjim. Pasi gjithçka është në mëshirë të dëshirës, asnjë benefit minimal për ushqim, udhëtim apo strehim. Ndërkohë që nata finale do të nevojitej të planifikohej si një manifestim përmbyllës ku fituesit e trofeve të festivalit të përjetonin dhe gëzonin kurorëzimin dhe larimin e tyre në këtë veprimtari e cila e ka bërë vendin dhe kulturën tonë kombëtare një vis të shumëpërmendur dhe parë përmes audioimazheve dhe fotoimazheve të skenës dhe sheshit të kalasë së Argjiros.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel