Mazhoranca prezanton kandidaten në Sarandë, Rama: Ujësjellësat në varësi të bashkive të reja

09/05/2015 00:00

Saranda ishte ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, në turin e tyre të prezantimit të kandidatëve në bregun e Jonit. Në Sarandë, mazhoranca kandidon me Floriana Kokën.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama, pasi falenderoi punën e Stefan Çipës, kryebashkiakut aktual që nuk u rikandidua nga mazhoranca për zgjedhjet e 21 Qershorit, tha se “në 18 muaj u pa qartë se çfarë mund të bëhet nëse qeveria në Tiranë vlerëson zhvillimin urban të qendrave urbane si pikënisjen e zhvillimit ekonomik dhe social”.

“Nëse qeveria në Tiranë kthen vëmendjen tek qendrat e qyteteve, kthen vëmendjen tek potencialet, që shumica e qyteteve të Shqipërisë kanë dhe që kanë mbetur për vite dhe dekada të tëra të pashtrytëzuara, potencialet turistike, ekonomike dhe të lidhura me natyrën”- deklaroi Rama.

Rama premtoi se së shpejti në gjithë bregdetin e Jonit do të garantohet furnizimi me 24 orë me ujë. Kjo do të bëhet realitet që këtë Verë në Dhërmi.

“Në gjithë vijën e bregut të Jonit kemi investuar me vëmendje, projekte dhe financime që do të shkojnë duke u rritur. Është domethënëse që pas 1 mijë vjetësh, për herë të parë Dhërmiu do të ketë ujë 24 orë. Pushuesit nuk do të vuajnë më për ujë në Dhërmi. Kjo do të bëhet realitet në të gjithë vijën bregdetare, kjo që bëhet realitet për Dhërmiun këtë verë.

Rama tha se do t’i jepet fund edhe barbarisë së shkarkimit të ujërave të zeza në det, ndërkohë që shtoi se Qeveria ka gati ligjin për të kaluar ujësjellësin në kompetencë të pushtetit vendor.

“Sot flasim për zgjedhje që kanë një rëndësi të veçantë, që janë të parat me 61 bashki, një reformë që është një burim i madh mundësish për zhvillim falë integrimit të shumë njësive vendore dhe transformimit të hartës zgjedhore në një hartë e integruar dhe me shumë më tepër mundësi për të menduar e projektuar. Qeveria ka gati prijektligjin e hartuar në këto 18 muaj për kalimin e ujësjellësave tek bashkitë, ku kryetarët e tyre do të jenë përgjegjës për furnizimin me ujë të qytetarëve”- u shpreh kryeministri.

Në takim foli edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Ai tha se Aleanca për Shqipërinë Europiane është krenare për kandidatet femra që ka paraqitur në të 61 njësitë vendore, si për kryetare bashkie, ashtu edhe për anëtare të këshillave të rinj.

Top Channel