PD prezanton kandidatët në Poliçan, Skrapar e Patos. Basha: Qeveria, fatkeqësi kombëtare

08/05/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie në Skrapar, në Poliçan dhe në Patos, përkatësisht Hajredin Bakiasin, Florian Qamën dhe Luan Mustafajn.

Në takimet elektorale përkatëse, Basha e vuri theksin tek abuzimi dhe përvetësimi që mazhoranca po u bën taksave të shqiptarëve.

Ndërkohë që 1 në 3 shqiptarë marrin borxh për të mbyllur muajin, tha ai, qeveria harxhon miliona euro për palma e fasada, pa asnjë impakt në zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve.

“Miliona lekë, euro, dollarë kanë harxhuar këtë vit për palma, për pllaka që vijnë e shtrohen dhe hiqen prapë, me dhjetëra herë, ndërkohë që nuk ka ujë, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka kanalizime, nuk ka subvencione për fermerët, nuk ka punë, nuk ka punësim, ilaçet janë më të shtrenjta, pensionet janë më të ulëta, fuqia blerëse ka rënë, listat shtohen dhe këta mbjellin palma. Palmat janë skema e tyre e korrupsionit. Është mënyra se si vjedhin taksat tona, është mënyra se si vjedhin taksat tuaja, që i kanë nxjerrë me forcë duke u marrë edhe kacidhen e fundit të pamundurve”, tha Basha.

Më 21 Qershor, shtoi kreu i PD, qytetarët me votën e tyre kanë mundësinë ta ndalin politikën e varfërimit të qytetarëve dhe pasurimit të qeveritarëve, si dhe atë të promovimit të kriminelëve në poste të larta të administratës, e deri në Parlament.

“Rrugëdalja nuk mund të jetë as largimi nga Patosi, as ulja e kokës, as shitja e dinjitetit për një thes me miell, apo 10 mijë lekëshi, apo 20 mijë lekëshi, që ua kanë vjedhur shumëfish dhe vijnë ua sjellin me pikatore natën e votimit. Zgjidhja është vota. Të djathtë e të majtë janë të bashkuar për t’i thënë ndal këtij kursi të marrëzisë, këtij kursi të çmendur, këtij kursi inkriminimi, këtij kursi të varfërimit të popullit dhe pasurimit të qeveritarëve. Kjo është zgjedhja që kemi më 21 Qershor”, tha Basha.

Top Channel