Aleksandër Çipa – Kritikat e ripërsëritura të deputetit Ben Blushi për qeverinë dhe krizën ekonomike-sociale në vend ende nuk janë mbyllur.
Dukshëm zoti Blushi është oponenti më aktiv dhe kryeneç i Kryeministrit Rama dhe jo vetëm kundër tij. Hollë-hollë, kritikat e tij i adresohen gjithë shumicës së majtë që ka mandatin qeverisës. Deputeti Blushi, në pasazhe të shkrimeve të publikuara dhe diskutimeve të veta në Parlament, të krijon asosacionin me komedianin politikan Beppe Grillo në Itali. Deputeti socialist është pozicionuar si kritik dhe thënës i të vërtetave, që në shumicë përmend dhe ka shqetësim opinioni publik dhe sidomos opinioni i majtistëve të thjeshtë në vend. Ato lidhen së pari me varfërinë që ka dimension shqetësues, me krizën ekonomike që lidhet me rënien gati të plotë të remitancave nga emigracioni si dhe më shumë te rënia e pranuar zyrtarisht e të ardhurave nga tregtia, doganat, tatimet etj. Kjo tablo e përshkruar realisht prej deputetit me aftësi shkrimore, ka ndezur debat të brendshëm në partinë kryesore të qeverisjes, pra PS, si dhe në bllokun e së majtës. Aq sa reaguesit më të parë të PS-së e ngritën reagimin e tyre në planin e një kritike ndaj Blushit se po “çon ujë në mullirin e opozitës”. Dje, deputeti kritik doli sërish në foltoren e Parlamentit, së bashku me cilësinë e vet oponenciale. Kritikat nuk i rreshti dhe i tejkaloi, por i çoi një mesazh drejtkuptimi opozitës, duke iu drejtuar hapur: “Por mos e harroni, Hasani qe juaji, jo yni. Ju e kishit kokë, ne e bëmë kapelë”. Ky nuk është thjesht një detaj sqarues për opozitën, por edhe një kampion i plotë ndarjeje në filozofinë e trajtimit të pushtetit përfaqësues mes deputetit dhe dy liderëve të së majtës aktuale, Rama dhe Meta.
Fenomeni i emërtuar si “hasanizim” prej kritikut Blushi në PS, është thelbi i debatit të gjatë në kohë për respektim të përkatësisë dhe të përfaqësimit sipas përkatësisë në jetën politike të vendit. Ky debat i injoruar, për shkak se është imponuar si formë e vullnetit vendosës të udhëheqësve kryesorë, duket se ka kohën paralajmëruese për t’u rikthyer brenda së majtës. Do të rikthehet në formë dhe në reagime të ndryshme, pasi ai nuk është vetëm një problem mes socialistëve, por edhe mes aleancës së majtë në pushtet.
Gjithsesi, këtë problem koha e mbetur në mandatin qeverisës, gati dy vjet, do ta rikonfirmojë. Ndoshta diskutimet dhe debatet e ardhshme mes dy partive kryesore të së majtës, do të konfirmojnë dhe përcaktojnë se ç’rrjedhë trajtuese do të marrë dhe me ç’efekte do të vijojë.
Por gjendja aktuale, kritikat “Blushi” dhe sidomos qëndrimet që po afishohen në periudhën pararendëse të fushatës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në thelbin e tyre mbartin dhe ekspozojnë parathënien e ndryshimeve të shpejta në kabinetin qeverisës. Ky është ndryshimi më i vogël i parathënë në këtë fushatë, e cila ka nisur më parë se çdo fushatë tjetër e zhvilluar në vend për zgjedhjet vendore.
Pse dy kampet kryesore u ngutën të fillojnë herët fushatën? Çfarë fshihet në këtë fushatë me zgjatjen më historike në kohë? Ku fshihet arsyeja dhe pse të dyja palët kryesore të politikës po përpiqen njëherësh të mishërojnë një marrëdhënie konkurrimi dhe jo ballafaqime antagoniste dhe konfliktuale?
Kjo fushatë është një sfidë e rëndësishme për opozitën, që zyrtarisht kryesohet prej Lulzim Bashës. Nevoja e kreut të opozitës në këto zgjedhje është të sfidojë kundërshtarët me fitore në disa bashki të reja të vendit. Leximet paraprake dhe sidomos indikacionet që vijnë prej terrenit, konkurrenca dhe mundësia për fitore në disa bashki prej opozitës është thelb optimist për udhëheqësin e ri zyrtar. Këtë lexim e ka siguruar drejt si dijeni shumica e majtë dhe sidomos dy udhëheqësit e saj, Rama dhe Meta. Nga ana tjetër, të dy këta të fundit, si kryesues me përvojë dhe strategji të forta, e ndiejnë se ka nevojë për tjetër trajtim elektorati dhe marrëdhënia me të. Tensioni dhe sidomos impasi që ka shkaktuar rëndesa dhe shtrëngesa ekonomike e financiare, ua ka hequr atyre komoditetin e të qenët në siguri të plotë për fitore dhe sukses të planifikuar.
Në javët e afërta, të dy udhëheqësit e së majtës do të kenë nevojën e një tjetër organizimi elektoral, ku të gjithëpërfshihen deputetët e tyre, por sidomos grupet e interesit dhe përfaqësuesit e ndryshëm e të shumtë me ndikim. Kjo gjë po shfaqet dhe lihet të nënkuptohet qysh prej mënyrës se si po reagohet ndaj kritikave të deputetit Blushi, prej denoncimeve dhe agresivitetit të plakut politik Berisha, si dhe prej indicieve të tjera që lidhen me terrenin e komunikimit dhe itinerarit elektoral që po kryejnë kandidatët e tyre.
Të gjitha këto premisa dhe sidomos diversiteti i heshtur në dy kampet e politikës, në brendinë e tyre mbartin dy zhvillime të pritshme.
Në kampin e opozitës, nëse PD-ja me Lulzim Bashën do të arrijë të fitojë së paku mbi 10 bashki, atëherë është shënuar rënia drastike e fitores me 1 milion vota në 2013-n. Dhe kjo politikisht është shumë. Kjo diferencë, sado që të rezultojë, do të trajtohet e komentohet si arritje dhe shembje e besueshmërisë së elektoratit ndaj së majtës. Këtë argument paraprak e qarkullojnë jo vetëm opinionistët pranë opozitës, por shumica e elektoratit djathtist në vend. Nga ana tjetër, këtij argumenti i vjen për shtat edhe skepticizmi i të majtëve të pakënaqur apo të lënë jashtë përfshirjes në qeverisje. Arritja e këtij objektivi nga PD-ja me Lulzim Bashën, ka vlerë dhe padyshim do të shënojë edhe një pozitë të konsoliduar të udhëheqësisë së re të PD-së në raport me historikun e saj, pra zotin Berisha dhe ndikimin e pashmangshëm të tij në parti.
Në kampin e së majtës, sfida pësuese në zgjedhjet vendore, qoftë si humbje e disa bashkive që i pretendon padiskutueshmërisht apo edhe në peshën specifike të votave në përgjithësi, do të çelë pashmangshmërisht një debat të dyfishtë. Brenda PS-së së pari dhe pse jo edhe në mes të LSI-së. Më e pakta mes tyre do të jetë e lidhur me nevojën e menjëhershme të ndryshimeve në kabinetin qeverisës, jo vetëm për ndryshime emrash të ministrave, por ndoshta edhe për rikompozim të strukturës së përfaqësimit dhe të kritereve përfaqësuese. Në këtë pritshmëri, më i mirëpërgatitur dhe i mirëmenduar nevojitet të jetë Kryeministri Rama. Presioni dhe ankimtaria mbi të kanë për të qenë shumë e shumë më të shtuara se në këtë fushatë të filluar para kohe dhe të zgjatur më shumë se të gjitha fushatat e kryera para kësaj.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel