Skënder Minxhozi – Është një kohë kur duket mjaft e lehtë të flasësh keq për qeverinë. Stina e gjatë e dimrit ka lënë pas humorin gri të zakonshëm, ekonomia nuk po ecën, ethet e ikjes kanë përfshirë gjithë Mesdheun, e bashkë me të edhe shqiptarët në të dy anët e kufirit shtetëror, ndërkohë që Rama është “përkujdesur” që t’i mbledhë të gjitha bashkë: shembjet, faturat e energjisë, luftën kundër drogave, mbylljen e universiteteve private, testimet në mjekësi etj. Që të gjitha hapa që krijojnë turma të pakënaqurish rrugës.
Si të mos mjaftojë kjo, vetë ekzekutivi duket se po shfaq lodhje e mërzi, megjithëse s’janë mbushur ende dy vjet nga momenti që ka bërë betimin te Presidenti. Shqipëria jeton paradoksin e një shumice që s’di të përdorë peshën e madhe që ka dhe të një opozite që s’di të përfitojë nga lodhja e kundërshtarit.
Në këtë peizazh kotësie, debati i brendshëm në PS duket i nënkuptuar. Ka qenë përherë një sport popullor te socialistët, që kur s’kishin kundërshtar të fortë përpara, niseshin e merreshin me njëri-tjetrin. Ben Blushi, si një politikan që i ka jetuar të gjitha periudhat politike të PS në dy dekadat e fundit, ka marrë përsipër të nisë një fushatë kritikash publike ndaj partisë së tij dhe qeverisjes së saj, në pragun e fushatës së madhe elektorale të 21 qershorit. Një përzgjedhje që mund të ketë lënë të pakënaqur shumëkënd brenda mazhorancës, pasi duket e fokusuar që të bëjë dëm, më shumë sesa që të ofrojë një shans riparimi të shënjestrës.
Në javët e fundit, Blushi ka dalë në media me deklarata, shkrime dhe batuta. Të gjitha të adresuara kundër Ramës dhe ministrave të tij. Ka folur më shpesh se më parë, e kjo përbën një risi. Rëndom deputeti socialist ka bërë sulme në distancë, shpesh në formë deklaratash të shkurtra të përforcuara më pas nga mediat kritike të qeverisë. Kurse tani duket se ka një ndryshim taktik në qëndrimet e tij: më shumë dhe më fort kundër qeverisë!
Ajo që thotë sot Ben Blushi për varfërinë, ikjet dhe krizën e qeverisjes, është në një pjesë të madhe e vërtetë. Një e vërtetë që s’ka nevojë për podiumin e Kuvendit dhe as për kostumin e politikanit. Shqipëria është një vend ku jetohet me një mijë e një halle. Deklaratat e deputetit socialist kanë krijuar zhurmë, jo edhe aq për faktin se vënë në dukje atë që s’shkon në qeverisjen e sotme, por për termat e përdorur dhe për intensitetin e kritikave, të cilat duken të shpeshta dhe gjithnjë e më të ashpra. Termi “funeral”, i përdorur për të etiketuar projektin qeverisës të së majtës, Rilindjen, ka qenë më së shumti objekti i komenteve, e pse jo edhe i pakënaqësisë së një pjese të kolegëve të deputetit socialist. Qeveria aktuale do të mbushë dy vjet në shtator. A është e drejtë të quhet i vdekur projekti i saj politik, as në gjysmën e rrugës së një mandati? Dhe a është e drejtë të bëhet kjo në pragun e një fushate elektorale, duke krijuar një front të dytë opozitar të (pa)maskuar brenda shumicës?! Këto pyetje dyshuese do të ishin gjithsesi periferike dhe pa rëndësi, nëse vetë kritikat e Ben Blushit nuk do të kishin nga pas hijen e një aksioni me efekt elektoral dhe të një dëshire të lexueshme për të dëmtuar rivalët e tij brenda partisë. Më tej akoma, këto pikëpyetje do të ishin fare të parëndësishme, nëse do të shoqëroheshin, ashtu siç e do formati, përvoja dhe pozicioni i autorit të tyre, me kundër-ide e kundër-propozime konkrete. Të cilat do të duhej të vinin nga çdo mendje e kthjellët brenda PS, si një oponencë e shëndetshme ndaj asaj që bën ose nuk bën qeveria dhe kreu i saj. Por Blushi na ka mësuar prej vitesh që të qëndrojë në zgrip. Më shumë gazetar e publicist sesa politikan, më shumë polemist i momentit, sesa vizionar i së ardhmes, më shumë, pse jo, i hidhur e inatçor në ato që thotë, sesa konstruktiv e luajal me ata të cilëve u adresohet.
Teksa konstaton me shumë të drejtë, zakonisht në dyert e PS dhe para kamerave, se proceset e përzgjedhjes e emërimit të kandidaturave në parti kanë qenë dhe janë hermetike e klinteliste, ai ka “përtuar” rregullisht të shkojë përtej kritikës së radhës. Të propozojë fjala vjen, korrigjime konkrete që do të hidheshin për debat më pas brenda së majtës, për procedurat e zgjedhjes së të zgjedhurve dhe të emëruarve. Pas sulmeve ka ardhur heshtja. Ka qenë përherë e vështirë të dëgjojmë dhe të diskutojmë rreth ndonjë teze konkrete për qeverisjen e partisë dhe të ekzekutivit, në deklarimet e Blushit, përtej frazave përgjithësuese me sfond ideologjik, ku mund të hyjë “Napoleoni me gjithë ushtrinë”.
Ben Blushi s’e ka pëlqyer kurrë Edi Ramën. Aq më pak tani, kur ai ndjen se Kryeministrit i është krijuar nga pas barra e pashmangshme e kusureve dhe konsumit që sjell qeverisja. Blushi e ka parë rregullisht Ramën si një rival të pakëndshëm që për një incident historik, i ka zënë rrugën drejt majës së partisë. Në verën e vitit 2009, kur kreu i PS u rrëzua në zgjedhjet e përgjithshme, Blushi nxitoi t’i kujtojë kryetarit të partisë se duhej të largohej nga posti, pasi kishte humbur garën elektorale me Berishën. Armik i vjetër i Metës, Ben Blushi e priti ftohtë fitoren e “dyshes së Lalzit” në vitin 2013, duke mos u kursyer të ushqejë kohë pas kohe mediat dhe opinionin publik me kritika ndaj qeverisë. Në harkun e 20 muajve të qeverisjes së majtë, Blushi ka prodhuar oponencë, por ka lançuar pak ide brenda spektrit të tij politik. E kjo e mpak në mënyrë të pashmangshme fuqinë e kritikave të tij, por edhe opozitën e tij brenda partisë. Duke rrezikuar ta kthejë atë, nga një kritikë parimore dhe objektive për qeverisjen dhe qeverisësit, në një nga ato goditjet poshtë brezit, me të cilat është e mbushur çdo ditë e aktivitetit të klasës tonë politike. Aseti që Blushi dhe të tjerë përfaqësojnë brenda Së majtës, nuk ka pse ngec në shah-matin e momentit. Nëse investimi i kundërshtarëve të Ramës është serioz, ai nuk ka pse të kufizohet në gërr-mërrin meskin të gazetave, por meriton një tjetër përmasë dhe një tjetër podium. Që është podiumi i institucioneve dhe i aulave të partisë më të madhe politike në vend.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel