BERND RIEGERT – Manifestime përkujtimore në Maltë. Një minutë heshtje e
presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
Përkujtimet e qindra refugjatëve, të cilët ditët e fundit humbën jetën pas largimit nga bregdeti i Libisë. BE-ja, ndryshe nga shtetet e Afrikës, po përpiqet të marrë përgjegjësinë dhe të ndihmojë refugjatët.
Paratë për misionin “Frontex” janë trefishuar, me qëllim që ai të mbrojë më mirë bregdetin dhe ujërat e Italisë dhe të Maltës, si dhe të ndihmojë në shpëtimin e pasagjerëve në anije. Ky është vendimi i vetëm konkret i samitit, i cili të habit sesa shumë zgjati në Bruksel. Por një kthesë e vërtetë në politikën e BE-së ndaj refugjatëve nuk është bërë, pavarësisht ngjarjeve dramatike në Mesdhe.
BE do të ruajë fytyrën
Interesat e anëtarëve të BE-së janë shumë të ndryshme. Vetëm për faktin se nuk kanë mundur të veprojnë ndryshe, për shkak të presionit të opinionit, presidentët dhe kryeministrat kanë vendosur ta zgjerojnë misionin aktual “Triton”. Ata nuk duan të tregohen jonjerëzorë. Kancelarja Angela Merkel u shpreh e shqetësuar edhe për vlerat themelore të BE-së dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, që po vihen në pikëpyetje. Gjermania, Belgjika, Britania e Madhe dhe të tjerët do të dërgojnë anije shtesë dhe personel, me qëllim që të paktën t’i evitojnë katastrofat më të rënda.
Por detyrat e misionit “Triton” nuk janë zgjeruar qartë. Mbetet pyetja nëse “Frontex”, në bashkëpunim me marinën italiane, vërtet mund t’i gjejnë të gjitha anijet e rrezikuara. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të varfrit, të cilët me gjithë rreziqet nga vdekja e mundshme hipin në anije, por që BE-ja të ruajë fytyrën. Nëntë milionë euro në muaj duan të japin vendet e BE-së për misionin “Triton”. Këto para janë afërsisht sa edhe kostot e misionit të skaduar italian “Mare Nostrum”. Në thelb tani kthehet gjendja e dikurshme dhe pranohet se përfundimi i misionit “Mare Nostrum” ishte gabim. Por e vërtetë është edhe se Italia në vjeshtën e kaluar nuk hoqi dorë nga misioni “Mare Nostrum” për shkaqe të kostove, por për shkak se ministri i Brendshëm, populisti i djathtë, Angelino Alfano, nuk mundte apo nuk donte të pranonte më shumë refugjatë në Itali.
Problemi kryesor nuk është zgjidhur
Problemi kryesor nuk është zgjidhur as në këtë samit. Ku duhet të shkojnë dhe të vendosen refugjatët, azilkërkuesit dhe migrantët ekonomikë? Një çelës për shpërndarjen nuk është gjetur, sepse vendet e BE-së kanë qëndrime të ndryshme. Për reformën e rregullave të Dublinit, sipas së cilave për refugjatët duhet të kujdeset vendi në të cilin ata kanë zbarkuar fillimisht, ende po rrihen mendime. Si shumë vite të kaluara. Por nuk pritet të ndryshojë shumë. Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, e ka bërë të qartë linjën e tij të ashpër, duke thënë se do të dërgojë anije për shpëtimin, por në Britaninë e Madhe nuk do të pranojë asnjë refugjat dhe se ata do t’i zbarkojnë në Itali. BE-ja do ta rishikojë mundësinë e identifikimit dhe shkatërrimit me sulme nga ajri të anijeve të kontrabandistëve. Por këtu ka probleme juridike dhe praktike, sepse një mision ushtarak i BE-së në territorin e Libisë as që shtrohet për diskutim.
Vendet e transitit
Presidentët dhe kryeministrat nuk kanë vendosur nëse do të ketë ndonjë mundësi për ardhje përmes rrugëve legale të refugjatëve, në mënyrë që kontrabandistëve t’u hiqet baza kryesore e biznesit me transportin e refugjatëve. Për këtë çështje, me siguri që do të debatohet edhe vite të tëra në shumë samite të tjera. Samiti i ardhshëm do të mbahet në Maltë, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të vendeve transit nga Afrika. Për zgjidhjen e problemit duhet bashkëpunuar me këto vende, sepse ato janë bashkëpërgjegjëse.
Top Channel