Lushnje, kundërshtohet shkatërrimi i objekteve nga IKMT

09/04/2015 00:00

Projekti për zgjerimin dhe ndërtimin e rrethrrotullimeve në rrugën Lushnje-Rrogozhinë ka rikthyer atje Inspektoriatin e Ndërtimit.

Shumë ndërtime që janë në anë të rrugës do të shkatërrohen, në disa raste edhe me eksploziv. Por, aksioni i nisur në rrethrrotullimin e Grabianit është penguar nga protesta e pronarëve të objekteve, të cilët kërkojnë që, në fillim të marrin dëmshpërblimet.

Sipas tyre, vendimi për dëmshpërblim është botuar në fletoren zyrtare, por ata ende nuk kanë marrë asnjë gjë.

Me protestuesit është bashkuar edhe kryetari lokal i Partisë Demokratike, Myslym Murrizi, i cili deklaroi se me një qeverisje nga ana e PD, dëmshpërblimi do të jetë 100 për qind. Sipas përfaqësuesve të Inspektoriatit të Ndërtimit janë 16 objekte, të cilat do të prishen.

Të gjitha këto objekte janë me leje dhe janë vlerësuar me vendim qeverie. Objektet janë biznese të ndryshme, të cilat janë ndërtuar përgjatë autostradës dhe rrethrrotullimeve.

Top Channel