Pezullohet puna në Marinzë, Gjiknuri: “Bankers”, përgjegjësi për aksidentin

08/04/2015 00:00

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se neglizhenca e treguar nga koncesionari “Bankers Petroleum”, gjatë operacionit të shfrytëzimit të pusit në Patos-Marinzë, e bën atë përgjegjës të drejtpërdrejtë për shpërthimin.

Ministri tha se kompania do të dëmshpërblejë banorët në masën 100%, ndërsa aktiviteti i saj në këtë zonë është pezulluar, derisa kompania të paraqesë një plan të qëndrueshëm, mbi mënyrën sesi do të operohet në të ardhmen, duke shmangur ngjarje të ngjashme.

“Neglizhenca e kontraktorit dhe përgjegjësia që ai ka marrë dhe ne do ta kërkojmë, patjetër që ngarkon atë me kosto dhe përgjegjësi të tjera ligjore, dhe unë e di që ka një hetim të hapur nga pikëpamja penale, por unë nuk mund të komentoj hetimin penal që po kryhet në lidhje me këtë çështje. Nga pikëpamja e zgjidhjes afatgjatë, mund të shikohet edhe zhvendosja e një pjese të popullatës në një vend tjetër, që të mos interferojë me aktivitetin e naftës, por këto janë gjëra që duhen studiuar dhe kanë edhe implikimet e tyre, ndaj dhe s’mund të them që e kemi gati zgjidhjen”, u shpreh Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Ministri tha se gazi i çliruar gjatë dhe pas shpërthimit, nuk është gaz metan apo ndonjë lloj tjetër gazi, i dëmshëm për shëndetin e banorëve.

Top Channel