Moti i keq, ende probleme në disa zona të vendit

07/04/2015 00:00

Në zona të ndryshme të vendit vijojnë problemet e shkaktuara nga moti i keq, me reshje dëbore që kanë vështirësuar dhe qarkullimin rrugor.

Nga informacionet e fundit zyrtare mësohet se reshjet e dëborës vijojnë në Llogara, rruga kalohet me vështirësi dhe policia udhëzon udhëtarët që të përdorin zinxhirët.

Pas përplasjes së dy veturave, uniformat blu që mbikëqyrin aksin e ngrirë prej 2 km kanë ndaluar automjetet duke detyruar drejtuesit që t’i vendosin ato. Në vendin e ngjarjes mësohet se ndodhet edhe një borë-pastruese.

Ndërsa në Gramsh, nga rrëshqitja e dherave si pasojë e lagështirës është vështirësuar kalimi në akset që lidhin qytetin me komunat Sulte, Kukur dhe Poroçan.

Reshje bore ka pasur edhe në komunat e thella të Librazhdit, por për fat të mirë nuk ka zona të bllokuara, njoftojnë më tej autoritetet.

Edhe në Qafë Thanë ka dëborë, por jo probleme në qarkullim.

Top Channel