Teknologjia që po riformaton mediat

06/04/2015 00:00

Zhvillimi i teknologjisë “mobile” dhe internetit ka ndryshuar peisazhin e gazetarisë dhe mënyrën e përdorimit të saj. Tanimë përmes internetit, përveç informacionit edhe mesazhet video janë të aksesueshme në telefon.

Kjo ka bërë që në shumë vende, në SHBA dhe Europë, ekrani i parë të mos jetë më ai i televizorit, por ekrani i një telefoni inteligjent apo “tablet”-i, duke zvogëluar kështu kohën e qëndrimit përpara ekranit të madh të televizorit. Shqipëria nuk qëndron larg këtyre ndryshimeve.

“Vitin e kaluar, në mediat e Amerikës së Veriut dhe Europës, pjesa më e madhe e trafikut të mediave kryesore si CNN, ‘Financial Times’, apo pjesa më e madhe e ngjarjeve që ato transmetojnë, vjen kryesisht nëpërmjet telefonave celularë. Javën e kaluar morëm vesh se për BBC, 65%  e informacionit shpërndahet nëpërmjet telefonave inteligjentë. Dhe kjo bëhet ose nëpërmjet asaj që quhet ‘web mobile’, ose nëpërmjet aplikacioneve. Ndërsa si përmbajtje konsumohen më shumë ato që kanë të bëjnë ose me lajmin e fundit, informacione ‘alert’ apo ato që kanë lidhje me motin”, tha Prof. Eric Scherer, drejtor i “Future Media” në “France Television”.

Shumë televizione të mëdha, informacionet apo produktet e tyre televizive kanë nisur t’i hedhin edhe në Facebook. Bëhet fjalë për informacione, që lidhen kryesisht me argëtimin, sportin, muzikën dhe shumë më pak vend zë politika, apo faktet sociale dhe diplomacia.

Facebook është duke negociuar me “New York Times” apo “Financial Times”, që informacionet e tyre të kalojnë drejtpërdrejt nëpërmjet Facebook-ut. “Dhe këtu nis risku për botuesit e mëdhenj”, – shprehet profesori francez, Eric Scherer, pasi ata do të humbin kontrollin e shpërndarjes.

“Përveç Facebook,  që është duke gëlltitur internetin – thotë ai, – ka dhe platforma të tjera të mesazherisë, si ‘Whats Up’, ‘Viber’ e të tjera, që po bëhen kanalet e shpërndarjes së informacionit. Të gjitha mediat e mëdha janë duke testuar përmbajtjet e shkurtra, me gramatikë dhe sintaksë të re, duke i përshtatur ato me platforma të mesazherisë.

Madje, duhen ndryshuar dhe mjetet e punës, ku gazetarët mund të bëjnë ‘Stand Up’-e dhe t’i transmetojnë ato drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, nëpërmjet mundësive të ndryshme të telefonëve inteligjentë apo platformave, si “Periscop live” në Twitter, e të tjera.

Profesor Scherer ka sugjerime edhe për drejtuesit e mediave në Shqipëri, të cilat janë shumë pranë këtyre zhvilimeve të teknologjisë.

“Drejtuesit e mediave në Shqipëri duhet të punojnë fort me internetin, me audiencën e të rinjve dhe me modelet e aparateve të telefonisë. Ata duhet të jenë aty ku jetojnë njerëzit, dhe njerëzit sot jetojnë në internet. Ekrani i telefonit është ekrani i parë që shikojnë njerëzit sot. Drejtuesit e mediave duhet të marrin parasysh këto ndryshime të teknologjisë, që zhvillohen kaq shpejt”, tha Scherer.

Sipas studimeve të bëra, vetëm në Facebook shikohen deri në 3 miliardë video në ditë, ndërsa në Twitter shikohen rreth 1.5 miliardë video çdo ditë. Gazetarët, tanimë duhet të merren të gjithë me informacionin vizual, sugjeron Scherer. Profesor Scherer paraqiti për një audiencë të gjerë në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit sfidat e revolucionit dixhital dhe të industrisë mediatike, që duhet të përshtaten me ndryshimet e teknologjisë.

Top Channel