Prokuroria: Kemi prova për Arben Frrokun

06/04/2015 00:00

Prokuroria do të vijojë “ta mbrojë” në Gjykatën e Apelit akuzën ndaj
Arben Frrokut, me dëshmitarin e mbrojtur nga shteti, personin me emrin e
ndryshuar Arben Ndoka.

Ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Parë e deklaroi të pabesueshëm dhe kontradiktor Ndokën, me argumentin se ai shfaqet në kamerat e sigurisë katër minuta pas krimit, Prokuroria thotë se dëshmia e Ndokës mbështetet edhe nga prova të tjera, që gjykata nuk i ka konsideruar.

Për të qëndruar tek argumenti më i fortë i gjykatës, e cila thotë se dëshmitari shfaqet në kamera katër minuta më vonë, prokuroria kundërshton, duke u shprehur se dëshmitari i saj është i besueshëm, pasi është pikërisht ai që identifikoi i pari mjetin BMW me targat DR 19 44 F, nga ku u qëllua Dritan Lamaj. Prokurorët pyesin: nëse dëshmitari mbërriti katër minuta me vonesë, atëherë si ka mundësi që ai dinte targën e automjetit nga u qëllua dhe si ka mundësi që di edhe detaje të tjera të konfirmuara? Prokuroria thotë se dëshmia e Ndokës mbështetet edhe nga dëshmite e shtetaseve O.L., dhe A.K., të cilat po ashtu si dëshmitari Ndoka, përshkruan automjetin, por edhe faktin që në makinën e krimit ndodheshin tre persona. Detaj që, sipas prokurorisë, tregon se Ndoka ka parë gjithçka ndodhi në vendin ku u vra Dritan Lamaj.

Aryseja përse dëshmitari shfaqet në kamera katër minuta më vonë nuk është sepse ai nuk ndodhej aty – kundërshtojnë prokurorët,- por sepse në atë moment ai ndodhej 15 metra larg, në një pozicion të pambuluar me kamera. Po ashtu, edhe pjesa ku dëshmitari për pak përplaset me makinën e krimit nuk është e mbuluar nga rrezja e kamerës dhe fakti që mjeti është përplasur në trotuar, në vendin ku ka shpjeguar dëshmitari, konfirmohet nga rikëqyrja e vendit të ngjarjes.

Tabulatet telefonike- thotë prokuroria – konfirmojnë që menjëherë pas krimit, dëshmitari i ka telefonuar shtetasit Ylli Memia, të cilit i ka dhënë targën e automjetit, dhe ky detaj provohet edhe nga dëshmia e Memisë në fazën e hetimeve paraprake.

“Eshtë e vërtetë – shtojnë prokurorët – që Memia në gjykatë e mohoi këtë gjë, siç edhe mohoi të kishte takuar më pas dhe Agron Kuliçajn e Tonin Vocajn. Por tabulatët telefonikë dhe dëshmitë e Vocajt e Kuliçajt shpjegojnë se Memia dha dëshmi të rreme e për këtë ai ka përfunduar i pandehur në Gjykatën Penale të kryeqytetit.

Por këto qëndrime të prokurorisë nuk janë ende përfundimtare, pasi gjykata nuk e ka dorëzuar ende vendimin të arsyetuar dhe çdo kundërshtim i akuzës vjen nga vendimi që ata kanë parë publikisht në televizione dhe në shtypin e shkruar.

Top Channel