Sarandë, rrugët e shkatërruara; banorët e komunës Dhivër të izoluar

24/03/2015 00:00

Të paktën 6 mijë banorë të komunës Dhivër vuajnë gjendjen më të keqe të rrugëve në të gjithë hapësirën rurale të Sarandës.

Janë jo më shumë se 50 km rrugë të shkatërruara që po mbajnë të izoluar prej vitesh fshatrat e kësaj komune.

Aksi Dërmish-Theollogo, një prej rrugëve më të zhvilluara tregtare që prej shekullit të 18-të, në të gjithë Jugun e vendit përshkohet sot prej jo më shumë se dy mjeteve në ditë, pasi është plotësisht i amortizuar.

Spitali i Çerkovicës është mbyllur prej kohësh dhe shkollat e Macanit, Theollogos dhe Çerkovicës janë mbyllur gjithashtu.

Kreu i komunës Dhivër, Sokrat Kalcuni thotë se kostoja e lëvizjes nga një fshat i largët i Dhivrit drejt Sarandës është më e lartë se ajo që i duhet një qytetari për të mbërritur në Tiranë, kështu që banorët ose janë zhvendosur drejt qendrave më të afërta, ose nëpër fshatra kanë mbetur vetëm të moshuar.

Sipas zotit Kalcuni, investimet për rrugët megjithëse janë kërkuar ndër vite nuk kanë mbërritur kurrë.

Top Channel