PE, takim me vendet e Ballkanit. Në fokus, zhvillimi i kulturës politike

24/03/2015 00:00

“Zhvillimi i kulturës politike dhe forcimi i dialogut politik për një demokraci të qëndrueshme” është tema e seminarit dyditor të organizuar nga Komiteti i jashtëm dhe ai për Çështjet Kushtetuese në Parlamentin Europian, enkas per vendet e Ballkanit dhe Turqinë.

Shqipëria përfaqësohet në këtë takim me një deputet të opozitës dhe dy këshilltarë partiakë. Burime pranë sekretariatit të PE-së rrëfyen për TCH se Tirana dërgoi të premten e kaluar, me një javë vonesë, listën e pjesëmarrësve, ku figuronin dhe dy deputetë të PS-së dhe një nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por legjislativi europian mësoi vetëm pak para nisjes së takimit, të hënën, se për shkak të një votimi shumë të rëndësishëm në Kuvendin e Shqipërisë, deputetet Balla, Gjylameti dhe Caka nuk mund të merrnin pjesë në takimin e Brukselit.

“Mospjesëmarrja e kolegëve të mazhorancës padyshim që nuk e ndihmon procesin e dialogut mes partive dhe qeverive e opozitave. Nuk ndihmon sigurisht jo vetëm dialogun politik të Shqipërisë, por nuk ndihmon as për përfaqësimin e mirë të Shqipërisë në këtë rast, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, deklaroi deputeti i PD-së, Gerti Bogdani.

Delegacioni i parë shembullor ishte i ai i Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të pozitës, opozitës dhe minoritetit serb, të cilët pritën plot 40 minuta për nisjen e takimit.

“Këtu jemi pozitë-opozitë dhe kjo s’na pengon aspak. Përkundrazi, do dëshmojmë që i duam të mirën vendit”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të LDK, Ismet Beqiri.

“Në këtë rast, në këtë shtëpi, kemi shansin të sqarojmë disa sfida që kemi para nesh”, tha Nenad Rashiç, përfaqësues i komunitetit serb.

“Siç duket, qeveritë e deritanishme nuk kanë arritur t’i adresojnë mirë problemet e zhvillimit ekonomik, të punësimit të të rinjve e kështu me radhë, ndaj sot po përballemi me probleme vërtet të rënda në Kosovë, siç është përshembull ikja e një pjese të popullsisë që nuk shohin shpresë në vendin e tyre”, deklaroi Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Dita e parë e takimit u fokusua tek zhvillimet politike në Maqedoni. “Kur jemi në opozitë përballemi me çështjen, nëse duhet të bëjmë kritika konstruktive apo opozitë konstruktive. Të vendosësh për bojkot do të thotë t’i lësh gjithë influencën politike udhëheqjes, të tjerëve. Vetëm nëse respektojnë njëri-tjetrin, pajtimi është i mundur mes atyre që urrehen”, deklaroi Alojz Peterle, kryetar i delegacionit të PE-së për Maqedoninë.

Edhe pse shqiptarët ishin në përbërje të tre delegacioneve nga 7 të ftuara në tërësi (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), Parlamenti Europian nuk kishte marrë masa për përkthimin në gjuhën shqipe, çka pritet të korrigjohet në ditën e dytë të punimeve, kur parashikohet dhe diskutimi mbi zhvillimet në Shqipëri.

Top Channel