Bujqësi, Meta e Panariti në qendrën e re frigoriferike në Divjakë

16/03/2015 00:00

Nga inaugurimi i rritjes së kapaciteteve frigoriferike me ndihmë financiare nga shteti në një pikë grumbullimi në Divjakë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ripërsëriti besimin te kthimi i bujqësisë në motorin e ekonomisë vendase, ndërsa kryeparlamentari Meta tërhoqi vëmendjen në këtë drejtim.

“Duke plotësuar me ofertë të shtuar nëpërmjet një prodhimi të shtuar kapacitetet e shumëfishuara tashmë të qendrave të grumbullimit, ne do të bëjmë të mundur që të krijojmë këtë zinxhir vlerash për të qenë konkurrues, të suksesshëm, për të rritur të ardhurat e fermerit dhe të ekonomisë kombëtare”, deklaroi zoti Panariti.

“Dua të tërheq vëmendjen për të punuar me këtë ritëm kudo, për ta kthyer këtë qendër të re grumbullimi dhe eksportesh në një shkollë për formimin e grumbulluesve dhe eksportuesve të tjerë në të gjithë vendin, e sidomos për drejtorët e bujqësisë në të gjitha qarqet e vendit. Për të kuptuar se kur një njeri me një staf modest arrin të bëjë këtë transformim, çfarë mund të bëjnë të gjithë ata që paguhen nga taksapaguesit për t’i dhënë vizion dhe perspektivë bujqësisë në vend”, u shpreh zoti Meta.

Për kreun e LSI-së nuk ka asnjë justifikim që toka jonë me cilësi të lartë, nuk jep ende përfitimin e duhur: “Do të ishte mirë që t’i çonim në Izrael ata që ankohen për cilësinë e tokës. T’i çojmë që të shikojnë sesi një vend i thatë, falë punës dhe përkushtimit është transformuar dhe është një nga vendet më konkurruese në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

Pjesëmarrja e Ilir Metës në këtë aktivitet bëhet vetëm një ditë pas arritjes së marrëveshjes PS-LSI për zonat zgjedhore.

Top Channel