“Vështirë se kjo çështje do të zbardhet nga drejtësia”

05/03/2015 00:00

Në studion e ‘Top Story’, analistët Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari dhe gazetari Artan Hoxha, dhanë mendimin e tyre mbi intervistën e Tom Doshit.

Zoti Nano tha se bëhej fjalë për një “intervistë jashtë normales nëse do e dëgjonte një skandinav”.

“Është një fabulë gjithë boshllëqe, që nuk qëndron. Ka pikëpyetje të panumërta dhe më e madhja është kjo: Cila është arsyeja që Ilir Meta pagoi për të vrarë? Pyetja tjetër është: Pse pikërisht Tom Doshin? Janë pyetje që ngelen pa përgjigje. E gjitha kjo më lë me sy të shqyer”, u shpreh Nano.

Ndërsa Skënder Minxhozi tha: “Është momenti që gjithçka t’i lihet drejtësisë, edhe pse nuk mund të kesh besim aty, por rrugë tjetër nuk kemi. Pamë një njeri të bindur në tezën e tij. Ai pretendon se nga Ilir Meta ka një tentativë vrasjeje, por me ato që kemi dëgjuar, më shumë se kurrë është momenti që Prokuroria të zbardhë këtë ngjarje, edhe pse unë jam skeptik.”

Artan Hoxha mendon se e gjithë kjo histori nuk është e vërtetë dhe e vetmja gjë që ka sjellë është se ka zbardhur një version të ri të 21 Janarit: “Cështja është më e ndërlikuar për mënyrën si ishin mbajtur të fshehta ngjarjet. Ata që nuk e njohin Tom Doshin dhe që e kanë dëgjuar pak, ju them se Toma duhet kur ka fushatë. Deputetë të tillë janë si gjeneratorë në situata tepër të vështira. Dukej sikur një nga elita e mafies është penduar dhe po rrëfehet. Lind pyetja: pse çështja nuk është nisur që më parë? Pse Bami nuk është ndaluar më parë? Duke e parë në këtë këndvështrim dhe duke parë seancën parlamentare tragjiko-komike, më duket sikur nuk është e vërtetë dhe na ka dhënë një version të ri të 21 Janarit.”

Ndërkohë, Arjan Vasjari theksoi se është një histori me të implikuar dy persona shumë pak të besueshëm: “Pyetja për mua është kë duhet të besojmë më pak: Metën apo Doshin? Personat e implikuar nuk kanë shumë besueshmëri. Cështja është që të gjithë aktorët janë brenda kësaj “sage qelbësirash”. Deklaratat e të gjithë personazheve të përfshirë nuk të japin shumë shpresë për zbardhje.”

Top Channel