Rama, Meta dhe Tahiri i përgjigjen ftesës së Prokurorisë, dëshmojnë të premten

05/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, janë të parët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së prokurorisë për të dëshmuar për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi për tentativë vrasjeje.

Kryeparlamentari Meta pritet të ‘trokasë’ rreth orës 08:00 të paradites së premte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe dy orë pas tij është vendosur marrja në pyetje e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Më pas, në orën 12:00 do të dëshmojë kryeministri Rama.

Ndërkohë, deputeti Sali Berisha ka deklaruar se do të paraqitet në Prokurori nëse do e thërrasin: “Për momentin, nuk kam marrë asnjë thirrje nga Prokuroria.”

Në një njoftim të shpërndarë të enjten, Prokuroria thotë se ka ftuar për të dhënë deklarimet e tyre ditën e premte: kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetin Mark Frroku, deputetin e PD-së Mhill Fufi, Eugen Beçin, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Kësaj liste i shtohet dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ftesën për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda e argumenton me faktin se ka ardhur pas deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit ditën e enjte, të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim.

Top Channel