BSH mban të ulët normën e interesit, Sejko: Presim përmirësim për kreditë

04/03/2015 00:00

Edhe pse pret një përmirësim të lehtë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet e kredisë për ekonominë do të mbeten të plogështa edhe për këtë vit.

“Edhe gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje të kredisë në ekonomi me 4 për qind. Ne gjykojmë se rritja e kreditimit do të mbetet konstante dhe bankat do të vijojnë të kreditojnë në vitin 2015 me hapa më optimiste se një vit më parë. Shifra mund të jetë mes 5 dhe 6 për qind, por kjo mbetet për t’u parë”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Sejko tha se banka do të vijojë ta mbajë të ulët normën e interesit për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Politika monetare do mbetet në kah stimulues gjatë periudhës së ardhshme. Stimuli monetar do mbështesë rekuperimin e kërkesës së brendshme dhe do të çojë inflacionin tek objektivat. Rritja ekonomike për vitin 2015 do të jetë më e lartë se në 2014. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do mbështetet në masë nga rritja e sektorit privat, ndërkohë që kërkesa e huaj do të ketë një rol të vogël pozitiv dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal pritet të vijë në rënie”, saktësoi Sejko.

Banka e mbajti të pandryshuar në 2 për qind normën bazë të interesit. Sipas guvernatorit, kjo politikë veç rritjes nën potencial të ekonomisë imponohet edhe nga ecuria e dobët e çmimeve, që pritet ta mbajë inflacionin në nivele të ulëta edhe për këtë vit.

Top Channel