Bllokimi i Kryeprokurorit, Lumezi akuzon Gjykatën Kushtetuese

27/02/2015 00:00

I nominuari për Kryeprokuror të Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi e vlerëson si të padrejtë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese në procesin e emërimit të tij.

Lumezi thyen heshtjen në një intervistë eksklusive për Top Channel, gjatë së cilës thotë se beson shumë tek vendimmarrja e drejtë e presidentes Atifete Jahjaga për dekretimin, si tregues për mirëfunksionimin e sistemit prokurorial.

“Unë mendoj se ajo nuk ka të drejtë dhe nuk ka kompetenca të përzihet në kompetencat e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili edhe me Kushtetuten e Kosovës, me nenin 10 paragrafi 2, përcaktohet si institucion i pavarur dhe askush nuk guxon të përzihet. Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të kërkojë të gjitha informacionet sa i përket procesit të parë, ndërsa sa i përket proçedurës së dytë mendoj që nëse ata kërkojnë ndonjë informacion pa pasur kërkesë nga ndonjë palë e autorizuar, atëherë i tejkalojnë kompetencat dhe autorizimet e tyre dhe ndërhyjnë drejtpërdrejtë në punën e Këshillit Prokurorial”, deklaron Lumezi.

Në proçedurën e dytë të përzgjedhjes, Lumezi kishte mbetur kandidati i vetëm në garë, pasi pesë të tjerët ishin tërhequr me arsyetimin se procesi ishte i kompromentuar.

Këshilli Prokurorial i Kosovës javën e kaluar e nominoi atë për kryeprokuror me shumicë votash, duke dorëzuar vendimin në Zyrën e presidentes Jahjaga për dekretim.

Por çështja, siç duket, do të ngecë sërish, pasi Gjykata Kushtetuese, më datë 25 shkurt të këtij viti, pas zgjedhjes së tij i është drejtuar me një kërkesë të veçantë Këshillit.

“Shpresoj se vendimmarja e presidentes do të jetë e drejtë dhe do të tregojë se vendimet e saj përbëjnë një garanci për demokracinë dhe për shtetin e së drejtës. Dhe për t’i kthyer imazhin e humbur këtij shteti, sigurisht që presidentja do të marrë vendime të drejta dhe do të ndikojë në mirëfunksionimin e sistemit prokurorial dhe në luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Lumezi.

Dhe kur flet për krimin dhe korrupsionin, Lumezi thekson se gjatë mandatit të tij si kryeprokuror sistemi prokurorial do të ketë efikasitet më të madh.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial ka vendosur që t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese dëshmitë dhe provat që konsiderohen të rëndësishme për këtë institucion, për të vlerësuar procesin e nominimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Anëtarët e këshillit u mblodhën mesditën e së premtes për të shqyrtuar kërkesën e Kushtetueses për informatat shtesë lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatit.

Gjithashtu, Këshilli Prokurorial vendosi që të informojë edhe presidenten lidhur me informatat e dërguara në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel