“Flamuri kuqezi, dritë e vërtetë, paqe dhe liri, na jep t’i në jetë”.
Këtë frazë të qëndisur me gërma të arta e mban flamuri i vitit 1941 i familjes së poetit Visar Zhiti, por i risjell në jetë thuajse 74 vite më vonë nga restaurimi i duarve të Linda Spahiut, e cila tregon më shumë për rrugëtimin e këtij simboli.
“Në një nga ditët e vitit të kaluar më vjen një mik shumë i mirë dhe më sjell këtë flamur. Flamuri i përket mesit të shekullit të kaluar, ekzaktësisht është i vitit 1941. Flamurin ma solli një personalitet i poezisë, i kulturës shqiptare, i atdhetarisë, Visar Zhiti, i përkiste familjes së tij”, shprehet Linda Spahiu.
Përveç bukurisë së artefaktit, Visar Zhiti e kishte flamurin amanet nga i ati.
“Në vitin 1941, një djalë i ri, poet edhe ai, i cili quhet Hekuran Zhiti i kërkon të fejuarës së tij të qëndisi një flamur. Ai e pikturon vetë flamurin dhe Resmia e qëndis. Në atë kohë në Berat, ku qëndronin të dy, kushtonin penjtë fija e arit. Atëherë, ndërhyn një mik i tyre, që ishte Mit’hat Frashëri. Me mirënjohjen e qëndisjes së këtij flamuri të bukur, Mit’hat Frashëri i thotë: mi lër mua t’i blej penjtë dhe më qëndis edhe një mua, si flamurin tënd. Vajza qëndis dy flamuj, njërin e mban për vetë dhe njërin ia jep Mit’hat Frashëri dhe sot pasardhësit e tij duhet ta kenë në familjen e tyre”, thotë Spahiu.
Linda rrëfen se ndihet me fat që i është besuar një artefakt i tillë në duar edhe pse si çdo restaurim tjetër ai kërkon kohën dhe mundin e tij. Por në dhomë në një thesar të quajtur arkiv, ku kurohen, ruhen dhe dokumentohen shumë objekte të trashëgimisë kulturore, sytë të ngelin te veshjet që brezat paraardhës i kanë mbajtur në trup për vite me radhë. Të punuar me ar, me stoli nga më të veçantat, ato janë dëshmi e një jete aristokrate, ku gratë kishin pozitën e tyre.
“Imagjino një grua të shtypur, një grua pa identitet të vishej me të tilla veshje. Çdo psikolog do ta hidhte poshtë këtë variant”.
As shekujt e historisë të vendosur njëri mbi tjetrin nuk mundën që ta fshinin këtë traditë.
“Të gjitha dokumentet etnografike që unë shoh, edhe fshatari më i varfër bënte sakrifica të mëdha sepse kostumet kushtonin, duhej një qese me flori për të veshur një grua. Shpesh ata shkonin në luftë, shkonin nizam, punonin për dhjetë vjet për të marrë atë qesen e floririt, por kur martoheshin duhet ta kishin patjetër”.
Edhe pse zeja që prodhonte në të përditshmen kostume shqiptare pushoi dhe vjedhjet kriminale kanë goditur objektet e kulturës sonë duke ikur pa adresë, Shqipëria vazhdon të zotërojë një pasuri të madhe në etnografi. Për Lindën ky fakt nuk është asgjë tjetër përveçse frymëzim.
“Qëllimi dhe lumturia ime për arritjen deri këtu dhe pastaj të gjitha dilemat e frikshme se çdo bëhet nesër që përpiqem të mos ma prishin kurajën për të vazhduar punën të nesërmen me kohë të plotë në çdo ditë të jetës, me gjithë familjen time”, thotë zonja Spahiu.
Ndonëse në mënyrë vullnetare, Linda dhe familja e saj prej 9 personash vazhdojnë të investojnë në pasionin e përbashkët, duke hapur në mënyrë private edhe një tjetër subjekt që pret vizitorë, odën “Trojet”, e cila mban copëza arkaike të prejardhjes sonë historike.
Top Channel