Kosovë, Aleksandër Lumezi kryeprokurori i ri

20/02/2015 00:00

Kosova ka më në fund kryeprokurorin e ri, i zgjedhur pas një gare që zgjati më shumë se një vit. Aleksandër Lumezi, aktualisht numri një i Prokurorisë së Apelit, mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, në procesin zgjedhor të zhvilluar këtë të premte.

Nga përbërja 7-anëtarëshe e Këshillit Prokurorial, 5 prej tyre votuan pro zgjedhjes së Lumezit, ndërsa 2 kundër. Vendimi për emërimin e Lumezit do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim dhe më pas presidentes Jahjaga për dekretin përfundimtar.

Aleksandër Lumezi gjatë ditës është marrë në pyetje në cilësinë e kandidatit për kryeprokuoror. Ai ka qenë kandidati i vetëm i mbetur në garë pasi pesë të tjerët ishin tërhequr nën dyshimet se procesi ishte i kompromentuar.

Bëhet fjalë për një proces që ka kaluar dy proçedura zgjedhjeje, ku edhe e para e kishte nxjerrë Lumezin fitues, por dy kandidatë të tjerë, Shyqri Syla dhe Laura Pula, ishin ankuar në gjykatë.

Kështu, në korrik të 2014-s, Gjykata Kushtuetuese kishte vendosur për anulimin e zgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit, duke urdhëruar kthimin e procesit në origjinë.

Në proçedurën e dytë të përzgjedhjes, të pesë kandidatët janë tërhequr nga gara duke humbur kështu të drejtën që të ankohen për procesin në të gjitha mekanizmat, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht, se Lumezi kishte mbetur konkurrenti i vetëm, Këshilli Prokurorial vlerësoi se nuk kishte pengesa ligjore që gara të mos vazhdonte.

Top Channel