Ukraina, Poroshenko kërkon paqeruajtës. Moska reagon: Kërkesa minon paktin

19/02/2015 00:00

Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin, akuzoi Ukrainën se po përpiqet të minojë marrëveshjen e Minskut pas kërkesës së saj për dërgimin e trupave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në lindjen e trazuar të vendit, që nuk njeh qetësi prej muajsh tashmë.

Kjo lëvizje e kreut të shtetit ukrainas, për Churkin ngre dyshime serioze mbi dëshirën e tij për funksionimin e paktit të arritur me shumë mundim.

Më herët, gjatë takimit urgjent të sigurisë, të organizuar pak pas tërheqjes së ushtarëve të Kievit nga qyteti strategjik i Debaltsevës, Poroshenko shprehu bindjen se trupat e Kombeve të Bashkuara do të ndihmonin të garantohej qëndrueshmëria e siguria, në një kohe kur është e qartë për të gjithë, se premtimi i paqes nuk po mbahet.

Kërkesa e tij u aprovua nga Këshilli kombëtar i Mbrojtjes, sekretari i të cilit bëri këtë pohim për gazetarët.

“Çështja u diskutua dhe u mor vendimi t’i bëhet thirrje OKB-së dhe Europës për ndërmarrjen e një operacioni paqeruajtes në Ukrainë. Trupat paqeruajtëse duhet të dislokohen përgjatë linjës së frontit dhe segmenteve kufitare me Rusinë, që kontrollohen nga separatistët”, tha Olexander Turchynov, sekretar i Këshillit kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Ukrainë.

Gati 2.500 ushtarë ukrainas u tërhoqen nga Debaltseve të mërkurën. Raportet në media i përshkruanin luftimet e atjeshme si mjaft intensive, edhe pse pushimzjarri hyri në fuqi që mesnatën e së shtunës.

Avancimi i rebelëve në këtë qytet është kritikuar ashpër nga Perëndimi, por në terren, vërejtjet e ndërkombëtarëve kanë pasur pak efekt. Përgjatë tre ditëve të fundit, nga përplasjet e armatosura kanë humbur jetën 22 ushtarë ukrainas.

Rebelët pretendojnë se bilanci i vdekjeve është më i lartë se kaq, por Kievi zyrtar e mohon. Për ekspertët, marrëveshja e Minskut mbase nuk ka dështuar ende, por rasti i Debaltsevës në pikëpamjen e tyre tregon se paqja në Ukrainen lindore nuk mund të vendoset vetëm me bisedime diplomatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA