Tony Blair, këshilltar i Qeverisë së Vuçiç-it, 16 vjet pas bombardimeve në Beograd

19/02/2015 00:00

Serbia është emri më i fundit në listën e gjatë të vendeve, që ish-kryeministri britanik Tony Blair ka vendosur të këshillojë në rrugën e integrimit evropian.

Ironia qëndron në faktin se pikërisht 16 vjet pas sulmeve ajrore ndaj ish-Jugosllavisë, Blair do të jetë këshilltar i Qeverisë së Beogradit dhe kryeministrit të saj Vuçiç, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Informacionit në Qeverinë e Millosheviçit dhe një nga kritikët më të ashpër të politikës së ish-kryeministrit britanik, madje edhe kryeredaktor i një librit kundër Toni Blair-it.

“The Guardian” e Londrës njofton se Vuçiç dhe Blair e gjejnë tashmë veten në të njëjtën llogore, në bazë të një kontrate mes firmës së konsulencës së Blair-it, e paguar sipas zyrtarëve serbë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mësohet se Blair dhe ekipi i tij ka bërë vizita të rregullta në Beograd së fundmi, përfshi edhe një leksion nga ish-shefi i komunikimeve në Qeverinë e Blair, Campbell, në fund të janarit.

Askush nuk di detajet e kontratës, sipas “The Guardian”, por ka shqetësim për rolin e tij si emisar i Kuartetit në Lindjen e Mesme dhe këtij projekti, të financuara nga Abu Dhabi.

Një zëdhënës i Blair refuzon të konfirmojë apo mohojë, nëse projekti financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndër vendet ku Blair shërben si këshilltar janë edhe Shqipëria, Ruanda, Mongolia, apo edhe për sundimtarin autokrat të Kazakistanit.

Blair nuk i bën publike të ardhurat e tij, por sipas “Financial Times”, në vitin 2011, Blair kishte të ardhura në vlerën e 20 milionë stërlinave, shkruan “The Guardian”. Blair tashmë do të jetë këshilltar për Shqipërinë dhe Serbinë, fakt ky që mund të lehtësojë marrëdhëniet mes dy vendeve, problematike në rrugën e integrimit evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA