Testimi i mjekëve, LSI kundër qeverisë: Vendim qesharak, të tërhiqet menjëherë

18/02/2015 00:00

Testimi i mjekëve dhe infermierëve pas një vendimi të qeverisë, ka
shkaktuar jo pak debate dhe polemika në politikën dhe shoqërinë
shqiptare. Përveç bluzave të bardha që e kanë kundërshtuar këtë gjë me
disa protesta në mjediset e QSUT-së, këtë herë vjen një reagim zyrtar
nga një deputet i mazhorancës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një prononcim për mediet, tha se qeveria duhet të tërhiqet menjëherë nga ky vendim.   Vasili ka reaguar pas publikimit të pyetjeve të testimit, duke pranuar se tani i gjithë procesi ka rënë.

“Jam shprehur për paligjshmërinë e testit edhe më parë, por pyetjet e testit nuk kanë lidhje me profesionin e mjekësisë, janë pyetje interesante për njerëz që nuk merren me mjekësi dhe sigurisht të tillë do të kenë qenë ata që do i kenë përpiluar dhe kushdo që do t’i konsultonte do të kuptonte që janë interesante për t’u njohur me botën e mjekësisë, por nuk kanë lidhje ne profesionistët e mjekësisë”.

“Pyetjet kanë dozë humori, ku dhe ju mund të kthenit përgjigje. E thënë gjithë kjo, zgjidhje e vetme, por edhe inteligjente, do të ishte tërheqja e menjëhershme dhe ecja më tej për të përmirësuar performancën e personelit mjekësor, – shtoi deputeti i LSI-së. – Ky nivel i testit të propozuar demonstronte edhe atë që ishte dyshimi ynë kryesor i ngahershëm, që degradimi profesional do të udhëhiqte dhe jo profesionalizimi. Kështu që, besoj se në një test të paligjshëm, tërheqja nga ai nuk është gjë tjetër vetëm kthimi në normalitet, nuk ka lidhje me protestat, protestat janë një reagim i fortë ndaj mos pranimit të refuzimit dekualifikimit profesional, sepse testi mund të konsiderohet, jo një test kualifikues profesional, por një test dekualifikues profesional”, – përfundoi Petrit Vasili.

Top Channel