Të enjten komisioni për dekriminalizimin, Meta i përgjigjet Bashës

18/02/2015 00:00

Shqetësimi i shprehur një ditë më parë nga kreu i opozitës Basha, se mazhorancës i mungon vullneti për të ecur përpara me zbatimin konkret të marrëveshjes për dekriminalizimin, ka marrë përgjigje nga kreu i Kuvendit Ilir Meta.

“Nga Kuvendi dhe administrata e tij gjithçka ka qenë korrekte dhe patjetër që nesër Kuvendi do të miratojë vendimin dhe përbërjen e këtij komisioni, sepse emërimet vetëm së fundmi janë sjellë nga grupet përfaqësuese”, deklaroi Meta.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Meta u pyet edhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale të qershorit.

“Nuk besoj se do ketë zona të ndara mes PS, LSI dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësitë, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, pavarësisht siglave që ata mund të përfaqësojnë. Sepse këto nuk janë zgjedhje politike, sipas vlerësimit tim, por janë zgjedhje vendore dhe është detyra jonë të ndërtojmë një proces që zgjedh administratorët më të mirë për qytetarët”, tha Meta.

Më tej zoti Meta hodhi poshtë zërat për një ftohje mes LSI dhe PS, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre mbetet solid. Ndërsa sa për kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, ai tha se, “ajo është e vlefshme për çdo post diplomatik jashtë Shqipërisë”.

Meta u pyet edhe për reformën në drejtësi, lidhur me të cilën nënvizoi se përfshirja e ish-presidentëve të vendit në këtë proces është e rëndësishme për shkak të eksperiencës së tyre.

Top Channel