PD: Ngjarja e Munellës, e paralajmëruar. Prokuroria të hetojë rastin

16/02/2015 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Gjergji Papa deklaron se gjendja
në miniera ka ardhur duke u përkeqësuar dhe se Qeveria është
përgjegjëse për këtë.

Lidhur me rastin e fundit të vdekjes së një punonjësi minierash në Munellë të Pukës, PD theksoi se kjo ngjarje ishte i paralajmëruar dhe se Qeveria nëpërmjet sulmeve ndaj opozitës nuk i shpëton dot përgjegjësisë.

“Nëse Qeveria do të bënte detyrën që i takon, kryefamiljari i ndjerë Gjovalin Ndreca nuk do të kishte humbur jetën. Kolegët e tij, bëjnë të ditur se miniera është jashtë cdo kushti minimal të sigurimit teknik. Kjo është një përgjegjësi e pastër dhe e drejtpërdrejtë e qeverisë.
Kolegët minatorë të të ndjerit, thonë se inspektorët e Ministrisë nuk kanë kryer detyrën që u takon dhe dyshimet e tyre të bazuara janë për neglizhencë me dashje në këmbim të rryshfetit.Numri i aksidenteve me vdekje në galeritë e minierave tona, në 15 muajt e fundit është absolutisht shumë herë më i lartë se cdo vit tjeter, përfshi edhe fillimin e viteve 90. Kjo është përgjegjësi e pastër dhe e drejtpërdrejtë e qeverisë”, u shpreh Papa.

Deputeti demokrat i bëri thirrje prokurorisë të hetoje me shpejtësi e seriozitet këtë rast dhe se i gjithë dokumentacioni i Repartit te Inspektim Shpetim Minierave, për rastin e Munellës, duhet bërë transparent.

Top Channel