Gjermani, masa për të kthyer azilkërkuesit nga Shqipëria e Kosova

13/02/2015 00:00

Ministrat e Brendshëm të landeve gjermane diskutojnë sot mbi azilkërkuesit nga Kosova dhe Shqipëria, numri i shtuar i të cilëve po mbjell shqetësimin në politikën e motorit ekonomik të Europës.

Një numër i madh përfaqësuesish në qeverinë gjermane, e sidomos në lande, kanë kërkuar këtë javë marrjen e masave të shpejta. Diskutimet për përfshirjen e Kosovës dhe Shqipërisë në “vendet e sigurta” të origjinës vazhdojnë, por ndërkohë organet gjermane, nga sa sqaron “Deutsche Welle” në një artikull të gjatë e të detajuar kushtuar kësaj çështjeje nevralgjike të momentit, po marrin masa praktike kundër shpërdorimit të kërkesës për azil nga shtetasit e këtyre dy vendeve.

Ministrat pritet të diskutojnë rritjen e numrit të emigrantëve nga Kosova dhe Shqipëria. Propozimin për konferencën e bëri të martën ministri i Brendshëm i landit të Saksonisë së Poshtme, Pistorius. Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, thotë se me këtë rast do të paraqitet një dokument, në të cilin do të shqyrtohet edhe çështja e zgjerimit të rrethit të “shteteve të sigurta”.

Rregulli që do të propozohet pritet të përmbajë përshpejtimin e refuzimit në procedurën e azilimit, të pasuar nga kthimi pas në vendet nga kanë ardhur personat. Deri tani, statusin e vendeve të sigurta në të drejtën e azilit e kanë Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.

Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Nyrnberg deklaroi ndërkohë të mërkurën se për kërkesat për azil të kosovarëve vendoset brenda dy javësh. Kuota e pranimit të lutjeve nga Kosova është vetëm 0,3 përqind, u bë e ditur, çka do të thotë se pjesa dërrmuese e njerëzve duhet të llogarisin kthimin në atdhe.

Ndërkohë landi i Bavarisë, që përballet me dyndjen më të madhe të refugjatëve, ka planifikuar të shkojë një hap më tej me vendimin për të mos u dhënë më parà në dorë azilkërkuesve nga ish-Jugosllavia dhe nga Shqipëria.

Top Channel