Gerildo Beqiraj, kush është studenti që akuzohet për shantazh ndaj të dashurës

09/02/2015 00:00

Në familjen e studentit të akuzuar për shantazh ndaj ish-të dashurës është kthyer hidhërimi i 13 viteve më parë, kur në këtë familje erdhi lajmi i vdekjes së Gëzimit, babait të 21-vjeçarit. Arrestimi dhe ardhja e policëve në shtëpi ishte një traumë e madhe për gjyshërit.

“Kontrolluan shtëpinë qoshe më qoshe, njëri prej tyre u ul dhe shkruajti disa gjëra, që nuk e dimë se ç’ishin”, tregon gjyshi i Gerildos.

“I pyeta se çfarë kishte ndodhur, ndërsa ata më kthyen përgjigjen ‘do ta marrësh vesh’ dhe e kishin për arrestimin e nipit”, rrëfen e gjyshja. (E ndërsa ngushëllon bashkëshortin e përlotur shprehet: “Djali do të vijë prapë, Qeveria do i ftillojë punët, nuk do i lërë kështu rrëmujë”.)

Ata nuk e besojnë se nipi i tyre ndodhet pas hekurave të burgut. I rritur nga gjyshërit dhe e ëma mësuese, Gerildo është amaneti i shtëpisë.

“Nuk më ka trokitur në derë askush, të më thotë që djali juaj bëri këtë apo atë, si shumë të tjerë që bëjnë budallallëqe jashtë. Asnjëherë, as nuk ofendonte njeri, as nuk prekte njeri”, tregon më tej e gjyshja.

Jo vetëm familjarët, por edhe fqinjët nuk arrijnë ta besojnë atë çfarë kanë dëgjuar nga mediat.

“Kam menduar se ka qenë dikush tjetër me emër të ngjashëm. Të betohem se te Geri, për 100 vjet nuk do të kishte shkuar në mendje ta kishte bërë këtë gjë. Ai është një njeri i shkëlqyer nga një familje shumë e mirë”, thotë një fqinje e familjes.

“Mund të jetë edhe ndonjë gjë e organizuar, si kurth, nuk e dimë. Por ai është djalë shumë i mirë”, shprehet një tjetër fqinje.

“Flas si për fëmijën tim, sepse Gerin e kemi rritur vetë, ishte 3 vjeç kur mbeti pa baba, plus që është një djalë jashtëzakonisht i mirë. Na ka rënë si bombë kur e morëm vesh”, shprehet fqinja tjetër.

“Unë njoh anën e përditshme të Gerit të shkollë, njoh edhe tipin e nxënësit shumë të përgjegjshëm, le të themi që e ka përfunduar gjimnazin me një mesatare shumë të mirë. Njoh edhe një person të përgjegjshëm në komunikim në raport me komunitetet, shokët, shoqet dhe mësuesit”, tregon tjetra.

Studenti i vitit të dytë në degën Financë, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, vjen nga një familje shumë e ngritur në qytetin e Shijakut. I ati, ish-pedagog i Akademisë Ushtarake i dalë në lirim, humbi jetën në 1997-n, ndërsa bënte roje në një karburant. Ai u rrit nga e ëma, mësuese shumë e vlerësuar në qytet.

Përveç studimeve, 21-vjeçari kishte muaj që punonte dhe në një “Call Center” pa pagesë, për të mësuar gjuhën italiane.

“Po ç’të them nga ana ekonomike, ja kemi dy pensionet tona. Edhe nusja me një pagë mësuesi. Sa herë që Geri kishte nevojë për lekë i kërkonte të gjyshit, s’do e linim asnjëherë pa lekë”, thotë e gjyshja.

Gjyshërit dhe mamaja janë përpjekur t’i plotësojnë çdo kërkesë. Vetëm para disa ditësh, ata i blenë edhe një makinë. Duke e njohur nipin si një tip të ndjeshëm, ata kanë frikë se mos qëndrimi në burg do i shkaktojë trauma të riut, jeta e të cilit nuk ka qenë aspak e lehtë.

Top Channel